Elbasan, lagja ’11 nëntori’ pa ujë të pijshëm, banorët: Uji mungon ose vjen me kufizime

0
3

Banorët e lagjes “11 Nëntori” në qytetin e Elbasanit vuajnë mungesën e ujit të pijshëm.

Edhe pse temperaturat gjatë këtyre ditëve po shënojnë shifra rekord, banorët e kësaj lagjeje po përballen me mungesën e burimit kryesor të jetesës ujit të pijshëm. Ata theksojnë se janë ankuar vazhdimisht, por deri më tani nuk është gjetur asnjë zgjidhje

Mungesa e ujit të pijshëm, si dhe oraret tepër të kufizuara të furnizimit, janë kthyer në problemin më të madh për banorët e lagjes “11 Nëntori” në Bashkinë Elbasan. Vetë banorët shprehen se nuk kanë marrë asnjë njoftim zyrtar për ndërprerjen e furnizimit me ujë, ndërkohë që as depozitat nuk mund të mbushen. Për këtë arsye, ata detyrohen të mbushin ujin me kova.

Situata paraqitet edhe më problematike në pallatet e larta, veçanërisht në katet e sipërme, ku furnizimi me ujë është pothuajse i pamundur. Gjatë stinës së nxehtë të verës, kjo situatë bëhet edhe më e vështirë.

Banorët thonë se janë të detyruar ta blejnë ujin e pijshëm, ndonëse kjo është tepër e vështirë për ta, për shkak të të ardhurave të ulëta. Megjithatë, ata theksojnë se nuk kanë asnjë zgjidhje tjetër.

Në këtë situatë të rënduar, askush nuk u ka dhënë një sqarim për shkaqet që kanë çuar në ndërprerjen e ujit të pijshëm. Fatkeqësisht, sipas banorëve, kjo situatë është bërë e përsëritur. Ata kërkojnë që menjëherë të merren masa konkrete për zgjidhjen e këtij problemi jetik.

© SYRI.net