Elbasan/ Mali i Vashës, një dashuri që mposht shekujt. Njihuni me historinë më të bukur të dashurisë

0
303

Nëse ka një forcë që i ka rezistuar shekujve që nga krijimi i njeriut të parë, ajo është dashuria. Ishte Eva ajo që ia imponoi Adamit dëshirën e saj për të ngrënë mollën e ndaluar. Dhe ai, për hirë të dashurisë që kishte për Evën e hëngri këtë mollë edhe pse e dinte se ky veprim do të dënonte jo vetëm atë por të gjithë brezat pasardhës. Dhe në shekujt që vijuan deri në ditët tona ajo forcë e magjishme dhe sublime me emrin dashuri ka qenë promotor luftrash, disfatash e fitoresh, por edhe baza e asaj gjëje të bukur që quhet përjetësi.

Këtu merr shkas edhe tregimi ynë, për atë majë mali në veri lindje të Elbasanit, të cilën e ka përjetësuar në këngën e tij Isuf Myzyri, ‘Mali i Vashës’.

Edhe pse sipas legjendës kanë kaluar shekuj të tërë, ai emër ka mbetur simbol i një dashurie të zjarrtë deri në vetëmohim. Fshatarët e Polisit të tregojnë sikur kjo ngjarje ka ndodhur vetëm dje.

Xha Ibrahimi që i kaluar me kohë të 80 -tat të flet për një ngjarje sikur e ka përjetuar vetë:

“Të dy ishin të rinj, të dashuruar që me vështrimin e parë, por të penguar për ta kurorëzuar këtë dashuri se njëri ishte i vobektë dhe tjetra ishte e bija e një të pasuri. Të rinjtë vuanin në heshtje pasojat e kësaj dashurie të zjarrtë dhe nuk shihnin asnjë rrugë bashkimi veç vetëvrasjes. Por ja, pleqësia e fshatit vendosi t’u vijë në ndihmë dy të rinjve, duke rënduar më shumë djalin e ri.  Vendimi ishte i rëndë dhe poshtërues për djalin i cili sapo kishte hyrë në moshën e burrërisë”.

Tek ne vijon Ibrahimi kishte rregulla të rrepta Islami të cilat e ulnin shumë herë dinjitetin e gruas. “Një burri që i nënshtrohesh tekave të gruas edhe kafen ia jepnin në gjunjë. Kurse në këtë rast ishte vendosur për një poshtërim edhe më të madh. Sipas kërkesës së babait të vajzës, ai duhet ta mbartëte në krahët e tij të dashurën që nga këmbët e malit e deri në lartësinë e thiktë të majës që edhe pa peshë mezi ngjitet. Ky kusht u pranua menjëherë nga i riu. Dhe s’kishte si ndodhte ndryshe ku ai ishte i gatshëm edhe për sakrificën më supreme. Dhe pleqësia e fshatit Polis, u mblodh për të ndjekur nga afër zbatimin e këtij kushti, pas së cilit do të caktohej edhe dita e dasmës së të rinjve.

“Është e vështirë për mua plakun që të marr me mend vuajtjet e atij djali azgan nëpër atë shpatë të thiktë me një peshë të ushqyer mirë mbi kurrizin e tij” thotë Ibrahimi. Kushti ishte që të mos bëhej asnjë ndalesë”, vijon ai.

“Në metrot e parë të asaj ngjitjeje djali fluturonte. Por kjo nuk vazhdoi gjatë. Pleqtë shihnin me shqetësim se si hap pas hapi djalin po e linin forcat dhe inkurajonin që nga poshtë : “ edhe pak, edhe pak, pothuajse arrite”.

Dhe djali arriti, por në momentin e fundit nga lodhja e stërmundimshme, zemra e tij pushoi së rrahuri. Ndoshta më shumë nga mbi pesha e dashurisë se sa nga lodhja. Dhe për të qëndruar besnike kësaj dashurie me sakrificë supreme, edhe vajza nuk pranoi tjetër fat, veç vdekjes së lumtur të një dashurie të përjetshme.

Ende pa u ftohur trupi i atij që do të ishte bashkëshorti i saj, ajo u hodh nga maja e thepisur e malit, rreth 700 metra të lartë në greminë”.

Kështu përfundoi kjo dashuri e pakurorëzuar, por e mbetur deri në përjetësi si një ndjenjë e pavdekshme. Edhe brezat që vijnë nuk do ta harrojnë kurrë Malin e Vashës, dhe atë që personifikon ky emër.

Miranda Sadiku