Elbasan
Moti i keq lë pa energji mbi 1 mijë abonentë në Qarkun Elbasan, ekipet në terren për rikthimin e furnizimit
Mbizotërimi i motit të keq ka sjellë pasoja në furnizimin me energji elektrike në shtatë bashkitë e Qarkut Elbasan. Sipas të dhënave zyrtare nga Rajoni Elbasan, disa fidra dhe kabina elektrike kanë dalë jashtë funksionit, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë në zona të ndryshme, kryesisht rurale dhe malore.
Në Bashkinë Librazhd, fidri nr. 4 i Nënstacionit (NST) Librazhd ka mbetur jashtë pune, ku katër kabina janë prekur nga defektet, duke lënë pa energji 113 abonentë në zonat Vilan, Sopot dhe Qafë Dardhë.
Ndërkohë, në Bashkinë Prrenjas dhe Gramsh, situata paraqitet më problematike. Fidri nr. 3 i Nënstacionit Cërujë ka dalë jashtë funksionit, duke prekur 227 abonentë në zonat Katërlistë, Zgjupt, Kutërqarë, Dushan dhe Prrenjas Fshat. Po ashtu, fidri nr. 6 i Nënstacionit Gramsh është pjesërisht jashtë pune, çka ka sjellë mungesë të energjisë për 702 abonentë në zonat Skënderbegas, Zenelas, Kullollas, Gribë, Sojnik, Velias, Lenie dhe Grabovë e Sipërme.
Në total, 1 042 abonentë rezultojnë aktualisht pa energji elektrike, nga rreth 115 mijë abonentë që administrohen nga Rajoni Elbasan. Autoritetet bëjnë me dije se ekipet teknike ndodhen në terren në të gjitha zonat e prekura dhe po punojnë intensivisht për eliminimin e defekteve.
Sipas njoftimit zyrtar, rikthimi i energjisë elektrike pritet të realizohet në një kohë sa më të shkurtër, ndërsa situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme deri në normalizimin e plotë të furnizimit.


