Elbasan: Përdoruesit e drogës shtohen ndërsa mungojnë strategjitë e parandalimit dhe qendrat rehabilituese

0
621

“Në shkollë kishte shumë djem që konsumonin lëndë narkotike në banjot e shkollës. Fillova të konsumoj hashashin si një mënyrë rebelimi ndaj babit, i cili ndonëse na siguronte një jetesë të mirë nga ana financiare, nuk mund t’i jepte një jetë të lumtur familjare.”

24-vjeçari me iniciale S.K ishte 19 vjeç kur provoi drogën për herë të parë pas një takimi me shokët.

Shtimi i përdoruesve të drogës është tashmë një realitet i prekshëm në qytetin e Elbasanit. Janë të njohura vendet ku konsumatorët e lëndëve narkotike gjejnë strehë dhe këmbejnë me njëri-tjetrin drogën dhe materiale për injektimin e llojeve të ndryshme të drogës.

Në çdo lagje ka objekte të braktisura, të cilat tashmë përdoren nga të rinjtë. Dëshmitë janë shiringat dhe mbetje të tjera që i gjen ngado. Një nga vendet problematike e kthyer në strehë të përdoruesve janë kapanonet te “Stacioni i Trenit”, tashmë jasht funksionit.

Personat që shihen të hyjnë e dalin nga këto ndërtesa janë të moshave 15 deri ne 30 vjeç. Ata janë të  njohur për banorët si fëmijë me probleme ekonomike dhe sociale.

“Gjithnjë pas konsumimit të hashashit ndihesha i fuqishëm në debatet me babain dhe nuk druhesha t’i ktheja fjalën”, -rrëfen 24 vjeçari për Citizens Channel.

Tashmë nuk e konsumoj më. Kam bërë 4 muaj burg pasi policia më arrestoi me doza të lehta hashashi në makinë. Nuk iu binda urdhrit të policit për ndalim, çka ngjalli dyshim tek polici dhe kështu përfundova në qeli”,- rrëfen ai më tej.

Burgimi bëri që 24 vjeçari të heqë dorë nga droga, por shumë të tjerë janë kthyer në përsëritës për shkak të varësisë së krijuar dhe shoqërisë që shpesh stimulon rikthimin.

Një banor aty pranë kapanoneve të stacionit të trenit thotë se nuk kanë munguar rastet e të rinjve që rënkojnë duke përfunduar në mbidozë.

“Na është dashur disa herë të njoftojmë ambulancën duke parë të rinj në gjendje të rëndë. Nuk di në ja kanë dalë por di të them që për ne është mjaft shqetësim. Mjafton të shikoni që pak metra më tutje luajnë fëmijët. Çfarë mësojnë ata nga kjo pamje kaq e keqe? Shteti duhet të vërë dorë, ta mbyllë, ta shembë godinën, të mos I lejojë të hyjnë e të konsumojnë këtu. E di që do gjejnë vend tjetër, por jo këtu tek ne”,- thotë burri rreth të 60-tave që nuk dëshiron të identifikohet.

Policia, mes arrestimeve dhe nismës për rehabilitim

Duke iu përgjigjur një kërkese për informacion Drejtoria e Policisë në Elbasan pranoi se nuk zotëron një databazë të përdoruesve të lëndëve narkotike në këtë qark dhe se është duke bashkëpunuar me strukturat shëndetësore dhe OJF-të për të hartuar një databazë të tillë.

E pyetur për zonat e nxehta ku janë përqendruar shpërndarës dhe përdorues në qytetin e Elbasanit, drejtoria e policisë evitoi një përgjigje të plotë.

“Mënyra e identifikimit të zonave ku ka risk për përdorim apo shpërndarje të lëndëve narkotike nuk mund të bëhet e ditur, por saktësojmë se nga informacionet policore, nga goditja e rasteve të shpërndarjeve të lëndëve narkotike, si dhe nga bashkëpunimi me autoritetet shëndetësore, policia identifikon personat që përdorin lëndë narkotike dhe zonat ku ato përdoren, të cilat nuk mund t’I bëjmë me dije”,- thuhet në përgjigjen zyrtare.

Nëpërmjet të njëjtës shkrese policia konfirmoi se në rastin e verifikimit të personit si përdorues droge, çështja pushohet dhe më tej bashkëpunohet me një organizatë jofitimprurëse që merret me rehabilimin e përdoruesve të lëndëve narkotike.

Sipas të dhënave zyrtare të këtij institucioni gjatë 6-mujorit të vitit 2021 janë goditur 33 raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike, me 56 autorë, nga këta 28 janë arrestuar në kushtet e flagrancës, 23 janë proceduar në gjendje të lirë, 1 i ndaluar dhe 4  të shpallur në kërkim.

Mjekja toksikologe: Mosha po ulet, duhet qendër rehabilitimi dhe informim i hershëm i të rinjve

Mjekët japin alarmin se mosha e përdoruesve është duke u ulur.

“Kemi raste edhe të adoleshentëve që na vijnë. Kemi pasur edhe raste të fëmijëve në nëntë-vjeçare. Sigurisht që nuk kanë qenë me droga të rënda, por tashmë kanabisi po konsiderohet diçka normale në gjimnaze për shkak të përhapjes së madhe. Kemi pasur raste të miturish, që i shoqëron një histori problemesh nga pas, por që po vëmë re që mosha po ulet”.

Mjekja toskikologe Miga Mataraku thotë se të rinjtë i hyjnë rrugës së drogës si shpërndarës me idenë për të fituar lehtë para pa llogaritur pasojat.

“Shumë prej tyre edhe pse e nisin për të fituar shumë shpejtë përfundojnë përdorues.  Kemi ekstreme përdoruesish të varfër dhe shumë të pasur. Ndryshimi i llojit të përdoruesve është se ata që kanë para përdorin droga të shtrenjta si kokaina ndërsa ata që s’kanë mundësi përdorin droga të një cilësie jo të mirë.

Cilësia e drogës është ajo që shkakton edhe pasojat më të mëdha në mbidozë. Vetë përdoruesit janë të vetëdijshëm që është e përzjerë madje duke mos ditur sasinë e drogës që ka në brendësi përdorin shumë më tepër. Rrisku i mbidozimit është tepër i lartë”.

Mjekja thotë se nuk ka një regjistër të rasteve të përdoruesve që përfundojnë në urgjencë. “Rastet referohen në varësi të ndihmës që kërkohet nga personi. Janë familjarët ata që kërkojnë ndihmë dhe referim për rehabilitim por kjo sigurisht do të varet nga personi”.

Natraku shton se për ato raste që merret konsensusi për rehabilitim, dërgohen në Tiranë dhe më pas i kalojnë një qendre private të hapur, jo shumë kohë më parë e cila ndodhet në Tiranë me një staf të vogël por që bëjnë një punë të mirë.

Sipas mjekes ka ardhur koha që Elbasani si një qendër e madhe spitalore të ketë edhe një qendër rehabilitimi.

“Kur dihet që në qendrën e metadonit trajtohen deri në 90 persona në ditë dhe kemi pasur edhe raste fatalitetesh nga mbidozimi, atëherë koha është të kemi një qendër trajtimi. Ka shumë specialistë që duan të kontribojnë në këtë fushë dhe ka shumë persona që e kanë të nevojshme këtë qendër”.  

Sipas mjekes informimi i hershëm për pasojat me shembuj konkretë do të kontribuojë që të rinjtë të mos joshen nga droga: “Gjërat duhen thënë ashtu siç janë. Nuk mjafton të thuash mos e përdorni por shpjegojini fëmijëve përmes shembujve për pasojat që sjell në shëndet, në shkatërrimin e familjes, në humbjen e shoqërisë, në pasojat ekonomike e shumë të tjera. Vetëm kështu mund të kemi rezultat në luftën kundër përdorimit të drogave”.

OJF-të zëvendësojnë mungesën e qendrave shtetërore të rehabilitimit

I kontaktuar nga Citizens Channel, përfaqësuesi i OJF Aksion Plus Genci Muçollari tha se në 6 muajt e fundit nga policia e Elbasanit janë referuar si pordorues toksodipendentë 15 persona, 12 prej të cilëve ishin të identifikuar si përdorues metadoni. Grupmosha më e prekur sipas tij janë 23-35 vjeç.

“Disa prej tyre kanë qenë në paraburgim dhe disa të tjerë janë ndjekur edhe në periudhën e burgimit”.

Ai pranon se janë prindërit dhe të afërmit që shërbejnë si ura komunikimi mes qendrës dhe autoriteteve. “3 raste  I kemi me letra reference nga avokatët e tyre, pasi janë kryer vepra penale nga personat e referuar. Përgjithsisht këto kanë qenë raste të reja”.

Përfaqësuesi i qendrës thotë se janë rreth 60 mijë persona në të gjithë Shqipërinë që e kanë provuar drogën ndërkohë që 8 mijë janë konsumues problematikë të drogave të rënda dhe të rrezikshme. Në funksion të përdoruesve janë vendosur edhe qendrat e metadonit, që funksionojnë në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Vlorë, Fier, Shkodër, Berat dhe Sarandë, e marrin terapinë rreth 920 persona çdo ditë. “Për më tepër Aksion Plus e shtrin shërbimin e tij edhe në IEVP si dhe Komisaritet e Policisë”, tregon Muçollari.

Ai konfirmon se sipas studimeve shihet një rritje në përdorimin e heroinës me 1%, kokaina mbi 1,5%. Sipas të dhënave të fundit Shqipëria renditet e dyta në Europë për numrin e përdoruesve të kokainës.

Sipas kësaj qendre numri i mbidozave të regjistruara në vit është 250 ndërkohë që 10 persona humbin jetën si pasojë e mbidozës.

Sa i përket trajtimit, ai vazhdon të mbetet një proces i vështirë që në Shqipëri i është lënë spontanitetit.

Trajtimi i varësisë nga drogat është i ndryshëm për persona të  ndryshëm dhe zakonisht përfshin terapinë, trajtimin me  medikamente, detoksifikimin dhe grupet vetë-ndihmëse.

“Me qëllim që të kemi një trajtim të duhur dhe me rezultate, kërkohet një mbështetje më konkrete nga shteti në burime monetare, njerëzore dhe infrastrukturore. Nevojitet motivim më i mirë i personelit që angazhohet në këtë sektor, si dhe një bashkëpunim më i ngushtë mes aktorëve që janë të përfshirë në ofrimin e trajtimeve për personat që përdorin substanca.

Muçollari bën thirrje për përmirësim të shërbimit dhe ngritjen e një Qendre Shumë Funksionale, me të gjitha mundësite dhe protokollet të përshtatura sipas nevojave të individëve që kërkojnë një shpëtim nga një varësi të caktuara.

Citizens Channel