Tre efektivë policie janë pezulluar nga detyra në Elbasan.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan – Korçë) njoftoi sot se ka ekzekutuar urdhrin e Prokurorisë për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka caktuar masën e sigurisë ndaluese “Pezullim i ushtrimit të një detyre a një shërbimi publik” për punonjësit e policisë, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Efektivët e policisë të pezulluar janë: N/komisar Th.T., me detyrë Specialist për rendin pranë Komisariatit të Policisë Elbasan; Inspektor A.L., me detyrë Ndihmës Specialiste pranë Zyrës së Informacionit në Komisariatin e Policisë Elbasan; Inspektor A.B., me detyrë Përgjegjës i dhomave të sigurisë pranë DVP Elbasan.
AMP sqaron se “në vijim të veprimeve të thelluara hetimore të kryera nga AMP, dyshohet se këta punonjës policie, në mospërmbushje të rregullt të detyrave të tyre funksionale, me veprime dhe mosveprime, nuk kanë marrë masa për parandalimin e arratisjes nga dhomat e sigurisë / shoqërimit të Komisariatit të Policisë Elbasan, të shtetasve N.L. dhe E.P., ndaj të cilëve Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, të dyshuar për veprën penale “Vjedhja me dhunë””.
“Në lidhje me këtë ngjarje, më datë 31/12/2024 Drejtoria Rajonale e AMP-së ka bërë ndalimin me iniciativë për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” ndaj punonjësit të policisë Inspektor Dh.D., me detyrë Trupë shërbimi vend roje në dhomat e shoqërimit në Komisariatin e Policisë Elbasan, ndërsa janë proceduar në gjendje të lirë për “Shpërdorim i detyrës” edhe punonjësit e policisë Inspektor A.H., me detyrë Trupë shërbimi vënd roje në DVP Elbasan dhe Inspektor A.B., me detyrë Përgjegjës i Dhomave të Sigurisë në DVP Elbasan.
- Vijojnë veprimet hetimore për nxjerrjen e përgjegjësive për punonjës të tjerë të policisë në DVP Elbasan”, përfundon njoftimi.