45-vjeçari Josif Kavaja nga fshati Seltë është arrestuar nga ana e Policisë. Burime bëjnë me dije për Elbasani Flash se Policia ka pasur shkëmbim zjarri sërish sot me Kavajën, por fatmirësisht nuk është lënduar askush.
Në vendngjarje që prej mbrëmjes së djeshme ka mbërritur një grup negociator i RENEA-s që së bashku me të vëllanë e të arrestuarit, kanë tentuar që ta bindin atë që të vetëdorëzohet. Pas orës 23:00 operacioni ishte ndërprerë për shkak të errësirës në zonë, dhe rifilloi sërisht sot në orët e para të mëngjesit.
Mësohet se gjatë natës, Policia ka krehur zonën ku ka gjetur një pushkë si dhe një sëpatë me njolla gjaku, që ende nuk dihet se kujt i përkasin.
Kavaja pritet që të transportohet drejt komisariatit të Policisë në Elbasan, ku do të merret në pyetje, por edhe ku do të analizohet gjendja e tij, pasi dyshohet se vuante nga probleme të shëndetit mendor.
Konflikti mes 45-vjeçarit dhe Policisë nisi për shkak të kontrollit që blutë shkuan për të bërë në banesën e tij, pas raportimeve të fqinjëve se ai mbante armë në shtëpi./Elbasani flash