Mijëra nxënës që kushtet dhe pamundësia nuk i lejoi të marrin mësim online janë rikthyer në klasa për orë mësimore plotësuese! Programi do të zgjasë deri më 11 shtator, ndërsa rikthimi i pjesshëm në shkollë bëhet me protokolle kundër koronavirusit.
‘’Nuk kisha whatsapp dhe nuk mund të komunikoja me mësueset.”
Si ky nxënës (shiko videon), që kushtet ekonomike të familjes nuk e lejuan të ndjekë mësimin online gjatë pandemisë, përllogariten të jenë edhe 1,372 të tjerë vetëm në Bashkitë, Elbasan, Cërrik dhe Belsh.
Nxënësit e klasave nga e para tek e pesta janë rikthyer këtë të hënë në klasa për të marrë mësime plotësuese në gjuhë shqipe dhe matematikë.
‘’Nuk kam pasur telefonin, ishte shumë e nevojshme. Familja kishte por nuk e kishte babi numrin e mësueses.’’
Pjesa më e madhe e nxënësve që nuk arritën të marrin mësim përgjatë mars–maj janë nga komuniteti rom dhe egjiptian, sikurse fëmijë nga shtresat në nevojë
‘’Nuk janë të punësuar asnjëri, vetëm me një përkrahje.’’
Prindërit qe i shoqëruan në shkollë theksuan se pamundësia ekonomike i bëri të privojnë fëmijët nga e drejta e arsimimit.
Një shqetësim ky i ngritur në vazhdimësi edhe gjatë kohës së izolimit për shkak të pandemisë së koronavirusit!
‘’Papunë jemi, me një përkrahje 40 mijë lekë.’’
Por kishte edhe prej atyre që mësimin e kishin ndërprerë për arsye të tjera dhe e shfrytëzuan mundësinë që fëmijët të marrin dije plotësuese.
‘’Djali ka marrë pjesë online ngaqë donim të iknim jashtë shtetit. Morëm mësim online po donim të takonim mësuesen.’’
Programi plotësues do të zgjasë deri më 11 shtator, ndërsa rikthimi i pjesshëm në shkollë bëhet me protokolle kundër koronavirusit.
Nxënësit përgjithësisht u paraqitën me maska, dhe para se të futeshin në klasë iu mat temperatura.
Ruatja e distancës nga ana tjetër ishte më e lehtë për shkak të numrit të kufizuar në klasa.
Në Elbasan, mësimi plotësues do të zhvillohet në 49 shkolla dhe për këtë janë angazhuar 253 mësues!