Një qytetare i është drejtuar redaksisë tonë me një video nga Kalaja e Elbasanit, ku shihet një automjet i lënë në mes të rrugës, duke bllokuar plotësisht kalimin e Zjarrfikëses në një moment emergjence.
Sipas qytetares, zjarrfikësja po tentonte të hynte në kala pasi një banesë e vjetër ishte përfshirë nga flakët, por pengesa e automjetit e ka vështirësuar ndjeshëm ndërhyrjen. Ajo thotë se drejtuesja e mjetit është shfaqur pa asnjë shqetësim, ndonëse kishte bllokuar rrugën në një situatë ku çdo sekondë ka rëndësi.
Raportohet se banesa është përfshirë nga flakët në rrethana ende të paqarta dhe fatmirësisht nuk ka persona të lënduar. Zjarrfikësit kanë punuar për të shmangur përhapjen e flakëve në banesat e tjera.
Ky rast rikthen në vëmendje problemin serioz të automjeteve të lëna pa kriter, të cilat në situata emergjencash mund të kthehen në rrezik real për jetë njerëzish. Qytetarja apelon për ndërgjegjësim, pasi nesër mund të jetë ambulanca ajo që s’mund të kalojë.


