Elbasan\ Xhaxhai kapet me armë zjarri dhe metadon,ndërsa nipi shpërndante kanabis

0
1421

Vijojnë kontrollet për të goditur veprimtaritë kriminale që janë fokus i megaoperacioneve “Tempulli” dhe “Sundimi i ligjit”.

Bazuar në inteligjencën policore, goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje dhe një rast i shitjes së lëndëve narkotike.

Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë, një sasi metadoni dhe një sasi kanabisi në formë çokollate.

Vihet në pranga 55-vjeçari që dyshohet se posedonte armën e zjarrit dhe metadonin, procedohet penalisht 26-vjeçari (nipi i tij) që dyshohet se shpërndante doza lëndësh narkotike.

Si rezultat i kontrolleve të kryera në kuadër të megaoperacioneve “Tempulli” dhe “Sundimi i ligjit”, bazuar në inteligjencën policore, specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Personit, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kanë goditur një rast të armëmbajtjes pa leje dhe një rast të shitjes së lëndëve narkotike.

Në vijim të veprimeve për këto raste u vu në pranga shtetasi 55 vjeç dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin  26 vjeç (nipi i 55-vjeçarit), banues në të njëjtën banesë, në Elbasan.

Gjatë kontrollit në banesën e këtyre shtetasve, shërbimet e Policisë kanë gjetur 1 armë zjarri pistoletë dhe një sasi metadoni, të cilat dyshohet se i posedonte 55-vjeçari. Gjithashtu, 26-vjeçarit, gjatë kontrollit fizik, iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis në formë çokollate.

Pistoleta, metadoni dhe kanabisi u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.