Kualifikimi në kupë u festua, por kremtimet u prenë në mes. Partizani u kthye menjëherë në realitetin e Superligës shqiptare të futbollit duke u mundur në Elbasan, në një disfatë që mund të kushtojë.
Të kuqtë, tashmë të drejtuar nga drejtori sportiv, Arbër Abilaliaj, pësuan humbjen e tretë radhazi në kampionat, duke qenë në krizë të plotë rezultatesh.
Emiljano Musta shënoi të dy golat për Elbasanin, që të dy me penallti, fillimisht në minutën e 37-të dhe pastaj dy minuta para fundit.
Kryeqytetasit e patën edhe më të vështirë sepse Mehmeti u përjashtua me karton të kuq në minutën e 72-të, pasi u ndëshkua me dy kartona të verdhë.
Më herët, të kuqtë ishin mundur nga Egnatia dhe Bylisi.
Me këtë fitore, Elbasani i trajnerit Gvozdenoviç u ngjit në kuotën e 34 pikëve, duke qenë vetëm 6 pikë prapa Partizanit, e duke I kërcënuar vendin e katërt që të kualifikon në plej ofin për titullin kampion.
Në ndeshjen tjetër të javës së 27-të, Vllaznia u ndal në barazim 2-2 në fushën e Laçit. Vendasit kryesuan 2-0 në pjesën e parë me golat e shënuar nga Myrta dhe më pas nga Tresa me penallti.
Pas pushimit, shkodranët reaguan dhe barazuan. Autorë të rrjetave ishin Çoba e Mensah, dhe madje u kërkua edhe fitorja. Vllaznia mban vendin e dytë me 46 pikë, ndërsa kurbinasit janë të 6-ët me 31.