Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se klubi i futbollit AF Elbasani ka depozituar pranë Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) një kërkesë zyrtare për shqyrtim disiplinor ndaj ekipit të KF Tiranës, duke kërkuar shpalljen e ndeshjes si “humbje në tavolinë me rezultatin 3-0” në favor të verdhebluve.
Sipas kërkesës së paraqitur, Elbasani pretendon se KF Tirana ka refuzuar vazhdimin e ndeshjes dhe ka braktisur fushën, veprim i cili, sipas klubit elbasanas, përbën shkelje të rëndë të Kodit të Disiplinës dhe Etikës, si dhe të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike të kampionatit Abissnet Superiore për sezonin 2025-2026.
Në dokumentin e dorëzuar në FSHF, Elbasani thekson se objekti i kërkesës nuk lidhet me vendimet teknike të arbitrit, të cilat konsiderohen përfundimtare, por me sjelljen disiplinore të KF Tiranës, duke argumentuar se mungon çdo shkak i ligjshëm për ndërprerjen dhe mosvazhdimin e takimit, çka sjell si pasojë aplikimin e humbjes në tavolinë dhe përfitimin e tre pikëve.
Çfarë rrezikon Tirana
Është luajtur vetëm gjysma e kampionatit, ndërsa Tirana në dy raste ka kërcënuar me refuzimin për të mos luajtur. Herën e parë ndaj Teutës nuk doli nga dhoma e zhveshjes në Durrës, ndërsa përballë Elbasanit të gjithë lojtarët lanë fushën e blertë për rreth 10 minuta gjatë pjesës së dytë. Rregullorja e FSHF qartëson vetëm refuzimin për të mos luajtur, duke treguar kështu se Tirana rrezikonte të dilte me humbje 3 me 0 në tavolinë. Neni 37.1 tregon se në rast se refuzimi për të mos luajtur përsëritet në të paktën dy ndeshje, atëherë klubi përjashtohet nga gara dhe zbritet nga kategoria. Bardheblutë ndryshuan mendje, njësoj si në Durrës, duke u kthyer për të mbyllur minutat e tjera. Tirana u largua më pas me barazim 1-1 nga “Elbasan Arena”, pasi rezultati mbeti i pandryshuar.
Kërkesa e Elbasanit në FSHF
“Kërkesë për shqyrtim disiplinor ndaj ekipit KF Tirana dhe shpallje “humbje në tavolinë me rezultatin 3 me 0” për braktisje/refuzim vazhdimi të ndeshjes. Nenet 16 dhe 60 e në vijim të Kodit te Disiplinës dhe Etikës. Nenet 37 pika 1 e ne vijim i Rregullores se veprimtarisë futbollistike – Abissnet Superiore 2025-2026 Analiza juridike (shkelja, kualifikimi dhe pasojat)
3.1. Vendimet e arbitrit dhe kompetenca e organeve disiplinore
3.1.1. Vendimet e arbitrit në fushë janë përfundimtare. Kodi i Disiplinës dhe Etikës, Neni 9 “Vendimet e arbitrit” përcakton se vendimet e arbitrit në fushë janë përfundimtare dhe nuk rishikohen nga organet gjyqësore të FSHF.
3.1.2. Pra, objekti i kësaj kërkese është sjellja e KF Tiranës (refuzimi për vazhdimin e ndeshjes/braktisja e fushës) dhe jo vendimmarrja teknike e arbitrit. 3.2. Refuzimi për të vazhduar ndeshjen dhe mungesa e shkakut të ligjshëm.
Neni 37-Refuzimi për të luajtur dhe situata të ngjashme
37.1. Nëse një klub refuzon të luajë, nuk paraqitet në stadium ose është përgjegjës për mos zhvillimin e një ndeshje plotësisht apo pjesërisht, në Kampionatin Kombëtar të Abissnet Superiore, Komisioni i Disiplinës dhe Etikës së FSHF-së, përveç masave të tjera disiplinore, do të shpallë ndeshjen të humbur në tavolinë. Nëse refuzimi apo mos paraqitja ndodh në më shume se 1 (një) ndeshje gjatë një sezoni, klubi përgjegjës do të përjashtohet nga gara dhe do të zbritet të paktën një kategori më poshtë duke iu zbritur jo më pak se 6 (gjashtë) pikë në sezonin pasardhës.


