Me 211 viktima që nga nisja e pandemisë, Elbasani është qarku me më shumë vdekje në vend për shkak të covid-19 në raport me numrin e të infektuarve.
Por duket se edhe ndotja e madhe në qytet po ndikon negativisht tek të sëmurit me covid, duke shtuar fatalitetet.
“Ndotja e mjedisit ka një rol të rëndësishëm, sidomos në sëmundje të tilla virusale. Kjo konsiston në atë që dobësohen organizmat. Shumë organe jetësore të njeriut, zemra, mushkëritë, veshkat, mëlçia e zezë etj., dobësohen në atë shkallë saqë humbin imunitetin ose nuk arrijnë dot imunitetin e duhur për të përballuar sëmundjen,” tha Ahmet Mehmeti, specialist mjedisi.
Specialistët pohojnë se ndotja në këtë qytet, është deri në 4 herë më e lartë sesa mesatarja normale e Bashkimit Evropian.
“Nuk quhet normale 2 fish deri 3 fish i ndotjes së ajrit në krahasim me standardin evropian. Shpesh edhe herë pas here po them, shkon deri në 4 fish,” thotë Mehmeti.
Edhe qytetarët shprehen të shqetësuar për nivelin e ndotjes në qytet.
“Lloj-lloj karburanti, lloj-lloj tymi që na bllokon frymëmarrjen,” thotë një qytetar.
Teksa Gjirokastra dhe Vlora, janë qarqet me përqindjen më të ulët të vdekshmërisë në raport me infektimet, në Lezhë javët e fundit është vërejtur shtimi i numrit të infektimeve tek fëmijët.
Ora news