Eksperti i Mjedisit, Ahmet Mehmeti, përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë nga qyteti i Elbasanit në studion e emisionit “Koha për t’u zgjuar” në News24, ka folur për situatën e rënduar të mjedisit në vend, duke theksuar ndikimin e ndotjes dhe moszbatimin e ligjeve mjedisore.
“Ndryshimet e mëdha klimatike komplikohen edhe me ndotjen që vjen nga moszbatimi i ligjeve. Kemi problem këtë të fundit dhe është kryesorja që çon në pasoja të mjedisit, në ajër dhe ndotje të tokës përmes ujërave, qofshin ujërat e zeza dhe në mënyrë të veçantë ujërat industriale të ndotura,” u shpreh Mehmeti.
Sipas Mehmetit, ndotja përfshin edhe mbetje të metaleve të rënda, që kanë pasoja serioze për shëndetin. “Nga studime të mirëfillta, numri i atyre që vuajnë është me shifra serioze. Ndotja nga ujërat dhe për pasojë ndotja e tokës është problematike dhe prek shëndetin e qytetarëve.”
Ai shtoi se për përmirësimin e situatës duhet menduar për të ardhmen me ndërtimin e impianteve për të bërë ujërat të parrezikshëm. “Shkumbini është shembulli i një lumi që po shkon drejt vdekjes,” përfundoi eksperti.