Elbasani përballet sot me errësirën e plotë dhe me neglizhencën që po tregon qeveria e këtyre viteve mbi trashëgiminë kulturore të qytetit.
Kemi të bëjmë me rrënojat e një kishe paleokristiane të shekullit V-VI në qendër të qytetit të Elbasanit, në vendin e quajtur “Rrapi i Bezistanit”, ku edhe ky sillet si monument natyre, të cilat janë lënë në mëshirë të fatit. Askush nga institucionet përkatëse për përkujdesjen e monumenteve kulturore nuk po i mirëmban këto rrënoja shekullore, duke çuar në humbje të vlerave historike të qytetit.
Kjo është pamja e trishtë me të cilën zgjohet çdo ditë Elbasani, i cili ditë pas dite ndjen braktisjen e monumenteve kulturore me vlera historike, të cilat zhyten nën llumin e harresës dhe humbjes së vlerave turistike dhe vlerave të mëdha arkeologjike që ai ka.
Bazilika doli në dritë falë iniciativës së Bashkisë Elbasan dhe të kryetarit, z. Qazim Sejdini, ku në gusht-shtator të vitit 2007 filluan gërmimet arkeologjike në vendin e quajtur “Bezistani”.
Zbulimi i saj u bë në bazë të disa dokumenteve të ruajtura në arkivën e Muzeut Etnografik, ku një tregtar shkruante se në themelet e dyqanit të tij ndodhej një bazilikë.
Gërmimet intensive nga arkeologët nxorën në dritë një kishë paleokristiane të shekullit V-VI të erës së re. Në këto gërmime u zbuluan dyshemeja me mozaik, afresket e mureve dhe elemente skulpture, që cilësohen unike në llojin e tyre dhe janë të vetmet e ndoshta nga më të rrallat në Ballkan, të cilat sot sillen si monumente kulture, ku tashmë kanë kaluar në varësi të Institutit të Monumenteve të Kulturës.
Sipas një monitorimi të bërë, gjatë viteve në vazhdim është përfolur se “Bashkia Elbasan në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë, Institutin e Monumenteve Kulturore dhe Këshillin e Europës, ku ky i fundit ka miratuar një fond prej 1.2 milionë eurosh për rikonstruksionin e Rrugës Egnatia, rivitalizimin e kalasë, vazhdimin e punimeve në Bazilikë paleokristiane. Sipas projektit, do të vazhdohen punimet për zbulimin e plotë të monumentit dhe zonës përreth”. Kanë kaluar afro 8 vite dhe askush nuk ka vënë dorë mbi këtë monument, qoftë për të zbatuar projektin, qoftë dhe për ta mirëmbajtur që të mos degradohet plotësisht.
Por sipas burimeve zyrtare, nuk kanë munguar as polemikat, ku monumenti kulturor është kthyer në “mollë sherri” midis Bashkisë Elbasan dhe arkeologëve që drejtojnë projektin. Arkeologu Ylli Cerova kundërshton projektin e bashkisë për mbulimin me xham të mozaikut të bazilikës, duke e cilësuar si të jashtëligjshme, ku z. Sejdini bashkë me Ministrinë e Turizmit, Rinisë dhe Sporteve kanë hartuar një projekt për mbulimin e mozaikut me xham.
Cerova ka paditur në prokurori bashkinë, gjë e cila ka çuar në ngërç dhe moszgjidhje të situatës, e tillë që vazhdon akoma të mbetet peng dhe pa rrugëzgjidhje.
Por siç ndodh rëndom në Shqipëri, askush nuk interesohet për mbarëvajtjen e këtyre monumenteve.
UDHETIMI
Është mëngjes dhe ora shënon 7:30. Rrezet e diellit duken qartë strukur thellë mbi retë, që qëndrojnë ashtu trishtueshëm mbi kodrat e Krastës, të cilat nuk janë shumë larg nga qyteti i Elbasanit. Qyteti po zgjohet dalëngadalë nën tingujt e cicërimave të kumrive; medoemos kjo është bërë dhe fraza muzikore e çdo mëngjesi. Nën ata tinguj nis edhe shëtitja jonë në qytetin e luleve – siç njihet ndryshe Elbasani. Kalojmë përpara Spitalit Psikiatrik, duke lënë pas britmat e atyre njerëzve të sëmurë që përballen e ulërasin çdo ditë me kujdestarët e tyre, po aq të mirë edhe të këqij, për shkak të punës që bëjnë.
Zëra të shumtë dëgjohen, makina që ikin sa andej-këtej, nxënës me çanta mbi krahë që vrapojnë për në shkollë, njerëz që vrapojnë për në punë. Qyteti zgjohet dhe kështu fillon edhe monotonia e përditshme. Ata që, siç duket, i kanë gjërat më në vijë janë shitësit e dyqaneve; grilat e tyre hapen më vonë, hapen pas kafes së mëngjesit, të cilët nuk ngurrojnë të relaksohen nën qetësinë e mëngjesit e të përhumben nën tymin e cigares që thithin. Po ashtu edhe ne në këtë mëngjes të mrekullueshëm nxitojmë të pimë nga një kafe, për t’i lënë vendin më pas shëtitjes nëpër qytet. Duke pirë kafen e duke bërë muhabet, dikush nga ne që po ndiqte edhe lajmet na thotë: “Epo si do shkojë edhe kjo puna e shiut që ka përmbytur shumë zona?!” Në atë moment hesht dhe në mendje më vjen kaosi me të cilin po përballet sot i gjithë vendi.
Shtëpi të përmbytura, mijëra hektarë tokë nën ujë, shembje rrugësh e urash: kjo është pamja e zymtë me të cilën zgjohet në këto ditë të vështira Shqipëria. Në mes të këtyre fjalëve ngrihemi edhe ne pa humbur kohë.
Përshkojmë rrugën që të shpie te kalaja. Asnjëri nga ne s’flet, po ashtu edhe kalimtarët me të cilët shkëmbehemi. I drejtohemi lagjes “Kala”, që është dhe ndër më të vjetrat brenda kalasë shekullore të Elbasanit, e cila është edhe kalaja më e madhe fushore në Ballkan. Në këtë lagje kalon edhe rruga e vjetër “Egnatia”, e cila përshkohej nga karvanët e tregtarëve të asaj kohe, ndërsa sot kalldrëmi po ikën pjesë-pjesë, sikurse dhe vitet, duke ia lënë vendin betonizimit. Ecim një copë herë nëpër rrugicat e kalldrëmta, ku nuk dëgjohet gjë tjetër veçse troku i hapave tanë të ngadaltë. Tashmë çukit ndonjë pikë shiu, duke i shtuar melodi udhëtimit tonë. Diku përballë nesh vjen tek-tuk ndonjë kalimtar, që shpejton për në punë me biçikletën e tij të vjetër. Qetësia mbizotëron kudo…
Në ballkonet e shtëpive shikojmë të moshuar e të rraskapitur nga mosha, që me sytë e tyre kureshtarë ndjekin me sy çdo kalimtar që kalon aty; po ashtu shikimin nuk e kursejnë edhe për ne. I afrohemi kishës së vjetër të Shën Mërisë, ku dyert duket sikur janë të mbyllura, asnjë zhurmë jete nuk ndihet. Siç duket, dyert e kishës janë mbyllur me llozin e ndryshkur për të mos u hapur më, por diku nga një cep dëgjohet një zë që na urdhëron mirëseardhjen. Është At Nikolla Marku, i cili drejton këtë kishë. I ulur në vendin e kultit, ai na tregon shumë gjëra interesante mbi kishën dhe qytetin. Nuk harron të na tregojë edhe për katakombet që gjenden poshtë kishës, të cilat sipas tij, kanë dalje të nëndheshme në kodrinat e Krastës. Rilindësit asokohe i kanë përdorur këto shtigje për t’u shpëtuar pushtuesve, por që sot askush nuk ka marrë mundimit t’i mirëmbajë sadopak ato. Pas kësaj bisede të ngrohtë me At Nikolla Markun, endemi ashtu kureshtarë nëpër rrugicat mbushur me mistere.
Gjendemi te burimi te porta e kalasë, na kishte marrë etja për ujë dhe çlodhemi pak. Qyteti tashmë po ecën me hapa të shpejtë; shohim se pas atyre mureve të trasha të kalasë çdo gjë është ndryshe. Qetësia thyhet që në mëngjes dhe zhurmat janë të bezdisura, ndonëse shumë qytetarë janë mësuar me këtë regjim. Sapo çlodhemi paksa, futemi në zemër të kalasë porsi pushtues. Përpara nesh shfaqet xhamia “Mbret”. Është e para foltore monumentale e konceptuar në stilin osman, për sa i përket formulimit planimetrik dhe vëllimor. Sipas mbishkrimeve që janë gjetur, ndërtimi i saj daton në gjysmën e parë të shekullit XVI, në dekadën e fundit të këtij. Pa hezituar futemi brenda xhamisë, që na ofron pamjen e një salle me përmasa kuadratike, që ndriçohet nga pesë dritare në tri radhë. Pamja ballore e xhamisë paraprihet nga një portik i mbuluar me çati druri, nga i cili kalohet në sallën e faltores nga porta, e cila, ndryshe nga xhamitë e tjera ndodhet në qoshen e djathtë. Bie shumë në sy dyshemeja e shtruar me pllaka poligonale prej qeramike, ashtu si dhe xhamitë e tjera të vendit që u ndërtuan ndërmjet viteve 1500-1600.
Në mes atyre pamjeve të mrekullueshme dhe nën frymën e shenjtë, largohemi nga xhamia drejt sahatit, që ndodhet jo shumë larg xhamisë, brenda mureve të kalasë, i cili përdorej si matës i kohës por edhe si pikë referimi sot. Ndërtimi i tij daton në vitin 1899 dhe është 30 metra i lartë. Dikush nga tanët, për të thyer heshtjen, me shaka na thotë: “Me këtë ‘sebet’ pamë dhe orën sa është”. Mes atyre notave humori, kthejmë kokën pas dhe shikojmë: përballë nesh qëndron hijerëndë e i patrembur rrapi i Bezistanit, ndërkohë në ditët e sotme sillet si monument natyre.
MUZEU ETNOGRAFIK
Nuk mungojnë edhe sy të habitur që na ndjekin me një shikim ironizues teksa ne lexojmë me kuriozitet faktet historike të qytetit, ndonëse shumë prej qytetarëve nuk marrin as mundimin t’i hedhin një sy sa për informacion. Pa humbur shumë kohë, por edhe për t’u humbur syve “paragjykues”, i afrohemi Muzeut Etnografik. Pamja paraqitet e bukur që nga jashtë. Pa hezituar futemi në derën kryesore, ku mbretëron një qetësi e plotë dhe nuk pipëtin asgjë. Futemi më në brendësi dhe trokasim te dera gjysmë e hapur. Pas disa minutash heshtje, nga një derë e vjetruar del një burrë rreth 50 vjeç. Duhet të jetë elbasanlli “24 karatësh”, mendova për një çast. Ai është Kreshnik Belegu, drejtor i Muzeut Etnografik.
E përshëndesim dhe nuk hezitojmë të bëjmë pak muhabet me të. E pyesim për ndërtesën e vjetër që ndodhet pas nesh dhe ai plot dëshirë na flet. “Muzeu Etnografik i Elbasanit është ndërtuar në një shtëpi karakteristike me çardak që i takon shekullit XVIII. Është një shtëpi që nga mënyra e ndërtimit dhe arkitektura është e veçantë në llojin e vet. Kjo banesë është dykatëshe. Në katin e parë futeshin prodhimet bujqësore, ndërsa kati i dytë përdorej për banim, ku ndodhen 5 dhoma dhe një korridor. Kjo banesë u restaurua nga Monumentet e Kulturës dhe në vitin 1986 këto ambiente u përshtatën dhe u kthyen në Muze Etnografik, edhe pse sot nga vitet që mban mbi supe kjo ndërtesë ka filluar të rrënohet ngadalë, pasi duhet dora e shtetit” – ishin fjalët e mikut tonë, të cilin e falënderuam dhe e lamë brenda mureve shekullore të këtij muzeu.
Ora është diku te katër pasdite dhe ne gjendemi përballë teatrit “Skampa” ku në vitin 1965 u ndërtua kinema “Nacional” nga Xhavit bej Biçakçiu. Në vitin 1962 u themelua si teatri “Skampa”, dhe në 4 gusht 2011 do të shkrumbohej nga flakët e zjarrit të rënë. Në shkurt të vitit 2012 do të rindërtohej plotësisht, ku sot nga jashtë dëgjohen duartrokitjet e mbytura të ndonjë qytetari elbasanas, i cili ndjen reduktimin e shfaqjeve teatrore, që nga dita në ditë po zhduken pa kuptuar. Diku më matanë dëgjohen brohoritje më të forta, më të zjarrta dhe duartrokitje pa masë. Brohoritjet vijnë nga stadiumi “Elbasan Arena”, ku luan Elbasani, që zhytet çdo ditë nën llumin e humbjeve, por tifozëria e zjarrtë nuk e braktis asnjëherë.
Tashmë mbrëmja po errësohet, njerëz të lodhur e pa fjalë që kthehen në ngrohtësinë e familjeve të tyre. Bori makinash që bien pa pushim e që nxitojnë për t’i shpëtuar trafikut. Kalimtarë të shumtë, të rinj e të reja që vrapojnë të zënë vend në kafenetë e tejmbushura plot jetë e gjallëri. Në mes tyre largohemi edhe ne të lodhur, të rraskapitur, por me kujtime e mbresa të bukura në mendjet tona. Largohemi, duke lënë pas vështrimin e zymtë të Aqif Pashë Elbasanit, i cili është qytetari i fundit që na përshëndet, e duke na uruar mirëseardhjen edhe herë të tjera në qytetin e luleve.
Gazeta Shqiptare