Emëroi një rus në përfaqësi: Shpallet e pandehur ambasadorja shqiptare në Gjermani, Aida Sakiqi

0
13
  • E akuzuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, ambasadorja e konsideruar si mikeshë e gruas së kryeministrit, Linda Rama, përballet me hetim penal…

Aida Sakiqi, ambasadorja e Shqipërisë në Gjermani, mësohet se është vënë nën hetim nga Prokuroria dhe është shpallur e pandehur për tre vepra penale, të cilat janë: “Shpërdorimi i detyrës” – Neni 248, “Falsifikimi i dokumenteve zyrtare” – Neni 186 dhe “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore” – Neni 245.

Hetimi ka nisur nga denoncimi i bërë nga disa qytetarë që jetojnë në Gjermani, por edhe nga zyrtarë të rëndësishëm të shtetit gjerman, ndërkaq burimet thonë se ka pasur kallzime edhe nga punonjës të ambasadës.

Prokurorët e çështjes, pasi janë njohur me kallëzimet e disa personave dhe me faktet përkatëse, kanë kryer hetime paraprake duke marrë në pyetje disa dëshmitarë.

Abuzimet e ambasadores Aida Sakiqi janë denoncuar nga disa zyrtarë të përfaqësisë diplomatike, por edhe nga autoritetet gjermane. Bëhet fjalë për dhjetëra dokumente të klasifikuara dhe të falsifikuara prej saj, si dhe për abuzime në menaxhimin e fondeve të ambasadës.

Prokurorët kanë kryer disa veprime hetimore dhe kanë konstatuar se shpërdorime ka pasur jo vetëm me financat, dokumentet, tenderët dhe fondet, por edhe në emërimin e personelit.

Gjatë hetimit është konstatuar se janë shkelur rregullat e sigurisë kombëtare në emërimin e stafit, duke punësuar persona me shtetësi ruse, bullgare dhe holandeze.

Më herët është dashur ndërhyrja e SHISH-it (Shërbimit Informativ Shtetëror) dhe e shërbimit sekret gjerman për largimin e një shtetasi rus të emëruar nga ambasadorja shqiptare.

Ende nuk ka një reagim nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë apo nga Kryeministri për shkarkimin e saj.

Ndërkohë, emërimi i ambasadores Aida Sakiqi erdhi pas shkarkimit të ambasadorit Artur Kuko, i shkaktuar nga një incident me Presidentin Bajram Begaj.

Emërimi i Aida Sakiqit në ambasadën më të rëndësishme në Evropë mësohet se pati si shtysë dhe një marrëdhënie të afërt që ajo ka me gruan e Edi Ramës, Lindën.

Marrëdhënie që është ngjizur më shumë gjatë kohës që vajza e gruas së kryeministrit studionte në Holandë dhe Sakiqi ishte ambasadore në Hagë.

Gjithsesi, pritet që prokuroria, në mesin muajit mars, t’i adresojë Kryeministrit dhe Presidentit kërkesën për masën e sigurimit ndaj të pandehurës Aida Sakiqi dhe pezullimin e saj nga detyra./Pamfleti

Ardit Murataj