Emigrantët e dëbuar, vendimi i qeverisë italiane ndryshon mënyrën e përdorimit të kampit të Gjadrit

0
1

Qeveria italiane e Georgia Melonit ka vendosur t’i përdorë qendrat e Gjadrit dhe Shëngjinit, në Shqipëri, për ndalimin e emigrantëve të paligjshëm në pritje të dëbimit.

Ky është vendimi i fundit i qeverisë së Melonit për të përdorur qendrat e pritjes në Shqipëri, që prej muajsh janë bosh.

Sipas ministrit të Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, bëhet fjalë vetëm për “riaktivizimin e një funksioni ekzistues të qendrës, atë të qendrës së kthimit”.

Me këtë vendim, emigrantët e ndaluar në Gjadër mund të qëndrojnë aty deri në 18 muaj, derisa vendet e tyre të origjinës të pranojnë kthimin e tyre.

Emigrantët e paligjshëm, të ndaluar në qendrën e ndalimit të emigrantëve në Romë, do të transferohen në Shqipëri në pritje të dëbimit, por më pas duhet të kthehen në Itali për kthimin e tyre përfundimtar në vendet e origjinës.

Duke marrë parasysh se mesatarisht vetëm 50% e emigrantëve të ndaluar në qendrat e pritjes arrijnë të kthehen realisht në vendet e tyre, pritet një rritje e kostove për shkak të transportit të vazhdueshëm midis Italisë dhe Shqipërisë, pasi çdo emigrant i ndaluar duhet të shoqërohet nga dy policë.