EMRAT/ Shpërthimi me bombë në Greqi, arrestohen dy vëllezërit nga Tirana, zbardhet roli i tyre

0
2

Dy vëllezër shqiptarë, Blerim Buci, 41 vjeç, dhe Besmir Buci, 32 vjeç, janë arrestuar nga policia greke si autorë të dyshuar të shpërthimit me eksploziv në diskotekën “Jacky.O” në Athinë, ngjarje e ndodhur më 7 tetor 2025.

Sipas mediave greke, dy vëllezërit kanë precedentë penalë në Greqi dhe ishin nën hetim për krime të ndryshme. Ndërkohë raportohet se në pranga është vënë edhe një person tjetër i cili dyshohet se u ka siguruar dy vëllezërve automjetin e përdorur për të arritur në vendngjarje dhe për të vendosur pajisjen shpërthyese jashtë klubit të natës.

Mësohet se, Besmir Buci parkoi automjetin pranë diskotekës dhe, pas një veprimi të shpejtë, aktivizoi një pajisje shpërthyese që kishte vendosur. Ai më pas u largua nga vendi me ndihmën e vëllait të tij, Blerimit, që e priste në automjet. Autoritetet zbuluan se automjeti ishte siguruar për ta nga një bashkëpunëtor grek, 44 vjeçar.

Gjatë operacionit të ndalimit, policia gjeti dhe sekuestroi një sërë provash, përfshirë një thikë palosëse, tetë telefona celularë, një pajisje telekomandimi, veshje të përdorura gjatë veprës kriminale dhe automjetin e përdorur. Një nga vëllazërit të arrestuar pranoi se një çift i kishte paguar 5,000 euro për të vendosur bombën si një “mesazh paralajmërues” ndaj pronarit të diskotekës, i cili kishte refuzuar t’i nënshtrohej shantazhit.