Prokuroria e Posaçme ka thirrur sot për të marrë në pyetje ish-gjyqtarin e Tiranës Besnik Hoxha. Mësohet se emri i ish-gjyqtarit përmendet në dosjen ‘Zarka’ për çështjen e ‘Toyota Yaris’.
Ish-gjyqtarit iu lakua emri në bisedat e Sky Ecc, se mund t’i jepte zgjidhje çështjes ‘Toyota Yaris’. Ndërkohë, më 25 korrik Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi largimin nga detyra të Besnik Hoxhës dhe e largoi këtë të fundit nga sistemi i drejtësisë.
Ky është zyrtari i dytë i thirrur nga SPAK për dosjen ‘Zarka’. Vetëm një javë më parë në SPAK është paraqitur për tu marrë në pyetje po për këtë çështje, prokurori i Tiranës, Bledar Valikaj.
Cila është dosja Zarka?
GJKKO më 31 korrik la në burg-kryeprokurorin e Vlorës Aurel Zarka, pasi akuzohet për ndërhyrje të paligjshme dhe ndikim te gjyqtarët e prokurorët për 8 çështje gjyqësore. Bashkë me Zarkën u lëshuan tre urdhërarreste për magjistraten Erjona Dautaj, avokatin Radovan Çela si dhe shtetasin Astrit Vladi, të cilët nuk u ekzekutuan pasi të tre ndodhen jashtë shtetit. Sipas SPAK, Zarka merrte para për të ndikuar te prokurorët dhe gjyqtarët e çështjeve penale. Kryeprokurori ka ndikuar në katër raste për lehtësim të hetimeve të dosjes “Toyota Yaris”, që nga një hetim për grup kriminal dhe pastrim parash prej 3.4 milionë euro u mbyll me një të dënuar, për mosdeklarim të të ardhurave në kufi.