Policia e Shtetit
Finalizohet operacioni policor i koduar “Smart Bank Phishing”, për goditjen e një rasti të mashtrimit kompjuterik.
Vihet në pranga autori kryesor i rastit, si dhe procedohen 2 shtetas
Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe në koordinimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, zhvilloi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Smart Bank Phishing”.
Në kuadër të operacionit u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasit Orlando Gjoka, 21 vjeç, banues në Laç, si dhe u proceduan penalisht, në gjendje të lirë, shtetasit D. G., 23 vjeç dhe E. Gj., 21 vjeç.
Shtetasi O. Gj. kishte krijuar një profil të rremë në rrjete sociale, duke përdorur logon dhe emrin e Bankës Kombëtare Tregtare, me qëllim mashtrimin e qytetarëve. Ai kontaktonte qytetarët, përmes platformave të ndryshme online, duke iu ofruar kredi të rreme pranë bankës, ndërsa nëpërmjet aksesit të paautorizuar në llogaritë e tyre bankare, arrinte të boshatiste fondet.


