Një 33-vjeçare është vënë në pranga, pasi me anë të mashtrimit aplikonte për kredi pasi i merrte të dhënat shtetaseve
Donika Curri iu merrte foto të kartës së identitetit, duke i mashtruar se ishte përfaqësuese e një shoqate bamirësie, dhe me të dhënat e tyre merrte kredi.
Arrestimi i saj, erdhi pas 16 kallëzimeve për këtë skemë mashtrimi. Policia ka sekuestruar dokumente bankare.
Nga hetimet dyshohet se 33-vjeçarja iu prezantohej shtetaseve me fëmijë të mitur, si përfaqësuese e një shoqate bamirësie për nëna me fëmijë të mitur, dhe iu merrte atyre të dhënat personale (foto të kartës së identitetit), duke iu premtuar pagesa mujore. Më pas, duke përdorur të dhënat e tyre, aplikonte dhe merrte kredi në institucione financiare.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dokumente bankare që pasqyrojnë tranfertat e parave të përfituara nga kreditë, në një llogari që administrohej nga Donika Curri.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj skeme mashtrimi dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.