Një ngjarje e rëndë kriminale është parandaluar ditën e sotme në Durrës. Mësohet se një 49-vjeçar me emrin Adrian Hoxha ka qëlluar me armë gjahu në drejtim të një mjeti, për shkak të një manovre të gabuar në aksin rrugor ‘Manzë-Maminas’.
Fatmirësisht i riu që ndodhej në makinë nuk është lënduar. Ndërkohë që pas njoftimit të policisë është bërë i mundur arrestimi i autorit. Bashkë me autorin janë sekuestruar dhe arma e gjahut dhe makina e tij.
Njoftimi i Policisë:
Durrës/Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë, parandalon një ngjarje kriminale në aksin rrugor “Manzë-Maminas”. Qëlloi me armë gjahu, në drejtim të automjetit të një 26-vjeçari, me të cilin u konfliktua për një manovër të gabuar në qarkullim, arrestohet në flagrancë 49-vjeçari Ardian Hoxha. Sekuestrohet arma e gjahut çifte.
Menjëherë pas njoftimit se në aksin rrugor “Manzë-Maminas”, një shtetas kishte qëlluar me armë gjahu, në drejtim të automjetit të një shtetasi tjetër, për shkak të një konflikti të çastit, për një manovër të gabuar me automjet, shërbimet e Stacionit të Policisë Manzë kanë shkuar në vendngjarje për të kapur dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorin.
Si rezultat, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga autori i këtij rasti, shtetasi A. H. 49 vjeç, banues në Manzë. Nga të shtënat pati vetëm dëme materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.