EMRI/ Përndiqte të miturën dhe e kanoste për t’i marrë para, arrestohet 35-vjeçari

0
2

Një 35-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Sarandës, pas denoncimit të familjarëve të një shtetaseje të mitur, e cila ishte viktimë e përndjekjes dhe kanosjes për qëllime përfitimi financiar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë ndaluan me iniciativë shtetasin Erlin Guçe, 35 vjeç, banues në Sarandë.

Sipas kallëzimit të familjarëve dhe provave të mbledhura gjatë hetimit, Guçe dyshohet se ka përndjekur të miturën për rreth një vit, dhe përmes kanosjeve të vazhdueshme, i ka marrë asaj një shumë të konsiderueshme parash.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprat penale “Përndjekja” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Policia njofton se hetimet për rastin vijojnë për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë e dyshuar kriminale të të ndaluarit.