EMRI/ Vrau Besnik Hidën bashkë me Laert Haxhiun dhe Orges Bilbilin, arrestohet në Athinë 51-vjeçari, pritet ekstradimi

0
2

Një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me rrezikshmëri të lartë shoqërore, është arrestuar në Greqi me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë.

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe autoritetet greke, finalizoi në Pire të Greqisë operacionin ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, duke çuar në lokalizimin dhe kapjen e shtetasit Ardian Ahmetaj, 51 vjeç.

Ahmetaj ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare pasi Gjykata e Fierit, në vitin 2023, kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg” për akuzat “Vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit”.

Sipas hetimeve, ai dyshohet se në vitin 2019, në qytetin e Lushnjës, në bashkëpunim me shtetasit Laert Haxhiun dhe Orges Bilbilin, ka vrarë me armë zjarri shtetasin Besnik Hidën.

 

 

Interpol Tirana vijon bashkëpunimin e ngushtë me Interpol Athinën për finalizimin e procedurave të ekstradimit të tij drejt Shqipërisë, ku do të përballet me drejtësinë për veprat penale të kryera.