Policia e Elbasanit vazhdon operacionin e nisur që mbrëmjen e djeshme në Peqin për arrestimin e një personi shumë të kërkuar, Talo Çelës, 49 vjeç, me origjinë nga Bradasheshi i Elbasanit.
Talo Çela dyshohet se fshihet pranë burgut të Peqinit, por edhe pse operacioni ka vazhduar gjatë tërë natës, ende nuk është kapur.
Talo Çela akuzohet për grabitjen e miliona eurove në aeroportin e Rinasit më 9 prill 2019, për ekzekutimin e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhiaj më 27 prill 2020 në Durrës dhe për 5 vrasje të tjera të ndodhura në aksin Peqin – Elbasan përgjatë viteve 2018-2019.
Për arrestimin e tij është vendosur shpërblim 10 mijë euro nga Policia e Shtetit si i përfshirë në vrasjen e vëllezërve Haxhia. Por Talo Çelo nuk e ka pranuar se ka pasur lidhje me këtë ngjarje të fundit kriminale. Po ashtu ka mohuar se ka marrë pjesë në grabitjen e 6.2 milionë eurove nga blindat që u sulmuan duke transportuar paratë për në Rinas. “Unë kam qenë në berber duke u qethur e duke u rruajtur në orën 14:05 – 14:10…- ka thënë ai. – Edhe jam qethuar, jam rruajtur, kam ikur në shtëpi. Nga aty kam vajtur te kafja ku e kam me gjithë vëllain, një kafe të përbashkët kafe-lavazh.”
Mësohet se për kapjen e tij janë zhvilluar katër operacione policore të pasuksesshme deri më sot.
© SYRI.net