Endri Shabani Avokat i Popullit? Prapaskenat e lobimit brenda grupit parlamentar të PS. I shkojnë Kuvendit për votim 6 kandidatë

0
2

A do të jetë Endri Shabani Avokati i ri i Popullit?

Gjasat janë po, nëse analizojmë zhvillimet pro zotit Shabani brenda grupit parlamentar të PS.

Kur kanë mbetur edhe dy ditë nga votimi në parlament i 6 kandidatëve të kualifikuar e certifikuar nga Komisioni Ligjeve, PS nuk e ka një udhëzim zyrtare për kë duhet të shkojë vota e deputetëve socialistë.

Megjithatë nga burime brenda grupit parlamentar të PS, i thanë gazetarit të Top Channel Muhamed Veliu se ka nisur një lobim underground për ta orientuar votën e deputetëve të PS drejt Endri Shabanit,  në kushtet kur avokati i popullit zgjidhet me 84 vota në një votim të fshehtë.

Endri Shabani bashkë me  Adriana Kalanë, Aranita Brahajn, Besim Ndregjonin, Skënder Halucin dhe  Tartar Bazajn vetëm më votat e anëtarëve socialistë në komisionin i ligjeve i shkuan kuvendit për votim.

Siç edhe Top Channel e paralajmëroi një ditë më parë kandidatja Jona Hysaj nuk u kualifikua pasi kishte marrë vetëm 27 nga 28 firmat e duhura.

Mazhoranca ne Komisionin e Ligjeve nuk e njohu tërheqjen e firmave mbështetëse të kandidatëve për avokat të popullit nga PD pavarësisht ngulmimit të demokratëve në këtë komision.

Harruat të thoni se grupi PD ka tërhequr mbështetjen për të gjithë kandidatët. Kthehemi në pikën zero asnjë nuk plotëson kushtet. Ndërprite mbledhjen dhe pyet Niko Peleshin”, shprehet Gent Starzimiri.

Nga ana morale kjo nuk është as burrërore, as etike (tërheqja nga firmat) Por juridikisht bie mbështetja kur tërhiqet firma”, shprehet Arjan Ndoja.

Nuk mungoi në këtë komision ironia mes kolegësh të demokratit Saimir Korreshi dhe socialistes Zegjine Çaushi.

Korreshi: Po deshe ti edhe një firmë, të rregullon byrazeri. Po deshe ndonjë firmë që të ka ngelur merak.

Çaushi: Mua merak?

Korreshi: Mos ke ndonjë merak, edhe me vulë, edhe me firmë, vët vët.

Çaushi: Unë skam nevojë as për firmë as për vulën tuaj se fatin tim e kanë vendosur njerëz të tjerë. Ju kujtoheni në orën 12, shihni ndonjë ëndërr dhe vini këtu në mëngjes dhe i tërhiqni ato që keni bërë.