Enigma e vrasjes para votimeve në Elbasan , prokuroria nuk arrin të zbulojë personat që qëlluan me dy pistoleta

0
531

Kur na ndajnë edhe 5 ditë nga mbushja 1 vit e vrasjes së Pjerin Xhuvanit dhe plagosjes së katër personave të tjerë, grupi i hetimit, ka vendosur të shtyjë afatin hetimor me tre muaj të tjerë, me qëllim hetimin e mëtejshëm të kësaj dosje penale.

Afati prej 12 muaj i prokurorisë, përfundon në datën 21 Prill, por grupi i hetimit ende nuk ka dalë në konkluzjonin përfundimtar, se kush ishin personat e tjerë që kanë qëlluar me armë zjarri.Nga dita e parë e ndodhjes së ngjarjes e deri më sot, në burg ndodhet vetëm ish-efektivi i repartit RENEA, Arbër Paplekaj, akuza ndaj të cilit është provuar se ka qëlluar për vdekje në dretim të Pjerin Xhuvanit dhe dhëndrit të tij, Eltjon Bodinaku.

Ndërsa Klemend Xhaferaj, i njohur si “Kel Çami” dhe i lançuar nga policia e Elbasanit si pjesëmarës në këtë ngjarje, ende nuk është arrestuar, por vijon të qëndrojë në arrati.

Deri në këtë fazë vijon të mbetet e paqartë, se kush ka qëlluar në drejtim të dy personave të tjerë Emiljano Prenga, dhe ish-policit Pavlo Vuksani.

Nga pamjet filmike të analizuara dhe ekspertizat e kryera ka rezultuar se Paplekaj është personi i veshur me bluzë të zezë me mëngë të shkurtra dhe në brez mban një çantë Marsup, nga e cila nxjerr dhe armën e zjarrit.

Ai qëllon në këndin e drejtimit, duke pasur përballë Pjerin Xhuvanin si dhe punonjësen e policisë, e cila qëndron prapa një furgoni të forcave të rendit.

Si pasojë e të shtënave nga 3 armë të ndryshme, në zonë është krijuar panik. Madje dhe dy zv/drejtorët e policisë që kishin shkuar për të normaliziuar situatën së bashku me një grup të “Shqiponjave” nuk kanë mundur të bëjnë asgjë për parandalimin e ngjarjes.

Dy zv/drejtorat e policisë, shihen në pamjet filmike që fshihen pas dyerve të makinave të tyre “Range-Rover” dhe nuk bëjnë asgjë për të arrestuar personat që po qëllonin.

Ngjarja e rëndë e ndodhur në 21 prill 2020 tronditi qytetin e Elbasanit, pasi rreth orës 14:00, ish-efektivë policie dhe ish-efektivë ushtrie, bllokuan automjetin e shtetasit Mehmet Grejsi, i cili dyshohej nga PD se po shpërndante lekë dhe blinte votat në lagjen “5 Maji”.

Bllokimi i automjetit dhe mbajtja përmes forcës dhe dhunës së Mehmet Grejsit, ka sjellë përdorimin e armëve, deri në ekzekutimin e Pjerin Xhuvanit dhe plagosjen e 4 personave të tjerë, përkatësisht Paulo Vuksani, Emiljano Prenga, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota.