Enkeleda Kapedani në KLGJ: Po gjykohem për shijen muzikore, i bëra videot se kam qenë e stresuar

0
160

Ka nisur në Këshillin e Lartë Gjyqësor seanca dëgjimore për procedimin disiplinor të kerkuar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani ndaj magjistrates Enkeleda Kapedani.

“Në rastin konkret ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin ndaj magjistrates Enkeleda Kapedani të masës provizore të pezullimit nga ushtrim i detyrës deri në përfundimin e procedimit disiplinor, për shkak se vazhdimi i magjistratit në detyrë diskrediton rëndë figurën dhe pozitën e magjistratit,” është shprehur Metani.

Prezent në seancë është edhe gjyqtarja Kapedani. Kapedani e ka nisur me një ndjesë, ndërsa thekson se po gjykohet për shkak të veshjes dhe shijes muzikore.

“Shpresoj që zëri im të dëgjohet, do e nis me një ndjesë publike. Po gjykohem për veshjen, pamjen apo shijen muzikore,” ka thënë gjyqtarja.

Gjyqtarja ka thënë më tej se videot që u publikuan në rrjetin social Tik-Tok i ka bërë nga stresi. Kapedani ka pranuar publikimin e videove, duke e cilësuar si mëkatin e vetëm të saj.

“Kam bërë video për shkak të lodhjes dhe stresit. Por nuk kam pasur si qëllim t’i publikoj. Gjithë kjo që ka ndodhur është tmerr personal, moral, për mua prindërit dhe bashkëjetuesin. Të gjithë po më bëjnë gjyq popull mediatik dhe moral. Pres nga ju një vendim të pa anshëm. Të vetmin mëkat që kam bërë është publikimi i videove,” ka shtuar Kapedani.

E prekur, Kapedani është justifikuar se të gjithë gjyqtarët sipas saj bëjnë video. “Pse po gjykohem kaq ashpër për një veprim. Të gjithë gjyqtarët publikojnë video, pse jam e goditur unë, kush ka interes, punën e kujt po pengoj?” ka thënë ajo. g.v/abcnews.al