Erdhën pak ditë më parë në Gjadër, 43 emigrantët kthehen sërish në Itali, pas vendimit të Gjykatës së Romës

0
2

Kthehen për në Itali emigrantët që arritën pak ditë më parë në Gjadër, që do të qëndronin në kampet e ngritura për refugjatët, pas marrëveshjes së kryeministrit Edi Rama dhe homologes së tij italiane, Georgia Meloni.

Gjyqtarët e Gjykatës së Apelit në Romë kanë pezulluar ndalimin e 43 emigrantëve nga Bangladeshi dhe Egjipti, të dërguar në qendrën e pritjes në Gjadër, duke referuar çështjen sipas vendimit të radhës të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë për vendet e sigurta.

Edhe transferimet e mëparshme të emigrantëve në Shqipëri të organizuara nga qeveria – tetorin dhe nëntorin e kaluar – u anuluan me vendime të magjistratëve të seksionit të imigracionit të Gjykatës së Romës, të cilët nuk vërtetuan ndalimet e urdhëruara nga selia e policisë së kryeqytetit.

 

 

foto galeri

  • foto galeri
  • foto galeri

Vendimi i parë daton në 18 tetor dhe kishte të bënte me 12 azilkërkues nga Bangladeshi dhe Egjiptianë të dërguar në qendrën e Gjadrit.

Gjyqtarët kanë mohuar vlefshmërinë e ndalimeve për shkak të “pamundësisë së njohjes së shteteve të origjinës së personave të ndaluar si “vende të sigurta”, si pasojë e moszbatueshmërisë së procedurës kufitare dhe, siç parashikon protokolli, të transferimit jashtë territorit shqiptar të emigrantëve, të cilët kanë të drejtë të çohen në Itali”.

“Telenovela” me emigrantët e paligjshëm
Për herë të tretë, Gjykata e Apelit në Romë vendosi që emigrantët e paligjshëm në kampin në Gjadër, të kthehen në Itali. Vendimi u mor gjatë mbrëmjes së premtes (31 janar 2025). Kështu, të gjithë 43 emigrantët që u sollën në Shqipëri, u kthyen sot (1 shkurt 2025) në Itali.

Gjyqtarët që ishin ngarkuar me shqyrtimin e dosjeve të çdo emigranti kanë vendosur të shprehin mendim negativ ndaj asaj që parashikohet në procedurën e miratuar nga qeveria.

Të gjitha këto ndodhin në pritje të një vendimi të Gjykatës Evropiane që do të shprehet përfundimisht në lidhje me çështjen e “vendeve të sigurta” më 25 shkurt 2025.

Ndërkohë, vendimi i fundit i Kasacionit kishte caktuar qeverinë si organin kompetent për të vendosur mbi këtë çështje, duke lënë gjithashtu mundësinë që gjykatësit të vendosin rast pas rasti se çfarë është e drejtë lidhur me emigrantët që kapen në det të hapur.

Riaktivizimi i marrëveshjes Itali-Shqipëri erdhi pas një pauze 2-mujore. Në dy rastet e mëparshme emigrantët u kthyen mbrapsht për shkak të vendimeve të Gjykatës në Romë, e cila vendosi po ashtu kthimin edhe për 43 emigrantët e mbërritur javën e kaluar në kampet e Shëngjinit dhe Gjadrit.

(BalkanWeb)