Një 35-vjeçar është arrestuar nga policia e Dibrës në Klos, pasi ka dhunuar bashkëjetuesen e tij greke. Gruaja në kushte të rënduara tentoi ti japë fund jetes dhe ndodhet në spital.
Erdhi si nuse, por përfundoi e dhunuar dhe rrezikoi jetën. Këtë fund dramatik pati një shtetase greke e cila u dhunua fizikisht dhe kërcënua për jetën nga bashkëjetuesi shqiptar Taulant Sinani në banesën e tij në Klos.
Pas këtij akti, shtetasja greke, siç njofton policia, tentoi ti japë fund jetës duke u vetëhelmuar.
Pas denoncimit të ngjarjes, 35-vjeçari Taulant Sinani përfundoi i arrestuar me akuzat “Dhunë në familje”, “Shkaktim i vetëvrasjes”, mbetur në tentativë.
Shtetasja greke u soll në Spitalin e Traumës në Tiranë ku raportohet se po merr trajtim të specializuar mjekësor, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.
Dhuna ndaj grave dhe vajzave në vendin tonë është një fenomen shqetësues.
Rastet sipas njoftimeve të Policisë së Shtetit janë të përditshme dhe në të gjitha format.
Burrat që dhunojnë gratë dhe djemtë që dhunojnë nënat, madje edhe të moshuara.
Sipas të dhënave zyrtare për periudhën janar-shkurt 2022, 56 gra e vajza kanë denoncuar dhunën e burrave, ku 33 prej tyre kanë kërkuar urdhër mbrojtje.
Por ky mekanizëm në vazhdimësi ka dështuar tu mbrojë jetën.
Vetëm vitin e shkuar në vend humbej jetën 16 gra të cilat u vranë nga ish- bashkëshortët ose anëtarë të tjerë të familjes.
Aktivistët e të drejtave në vazhdimësi kanë kërkuar forcim të ligjit për dhunën në familje.