Erdhi stina e “vdekjes”, shqiptarë bëni kujdes!

0
136

Ngjarje tragjike janë regjistruar që në fillim të kësaj jave në vend. Një aksident rezultoi fatal për nënë e bir në Berat pasi automjeti me të cilin udhëtonin doli nga rruga e më pas përfundoi në Osum.

Ngjarja e rëndë ndodhi në  vendin e quajtur “Ura e re” në rrugën “Antipatrea”, ndërsa ky nuk është rasti i vetëm ku automjetet përfundojnë në Osum pasi rruga nuk ka barriera mbrojtëse, por vetëm disa kangjella.

Pavarësisht se qytetarë të rastit tentuan t’u jepnin ndihmën e parë, 25-vjeçarja Klaudja Xhaferaj dhe djalit i saj 6-vjeçar nuk mundën të mbijetonin.

Me ardhjen e verës kanë nisur tashmë të regjistrohen “ngjarjet fatale” tipike të stinës. Një adoleshent u mbyt po pasditen e së hënës në Drinin e Zi. Ai ishte futur për t’u larë dhe më pas e kishte marrë rrjedha.

Me ngrohjen e temperaturave kanë nisur edhe eksplorimet në zonat turistike por edhe ato malore. Gjatë ditës së sotme një qytetar është rrëzuar në një greminë Malin e Çikës. Ai ishte pjesë e një grupi turistësh. Ndërkohë po kërkohet ndihmë për shpëtimin e tij. Janë regjistruar po ashtu disa raste të alpinistëve, kryesisht të huaj, që humbasin rrugën apo rrëzohen në zona të rrezikshme në veri, kryesisht në Valbonë.

Përpos këtyre, nuk mungojnë as incidentet tipike shqiptare. Me t’u hapur zyrtarisht sezoni turistik nisi edhe raportimi i incidenteve të para në bregdet ku pronarët e bizneseve konfliktohen jo rrallë herë, verbalisht apo fizikisht, për hapësirën e shezlongëve.

Vetëm së fundmi një person u godit me lopatë pas koke pas një debati për ndarjen e hapësirës publike në bregdet, në Kune Vain.

Vera është kryesisht e rrezikshme pasi tendenca e qytetarëve për të dalë nga rutina e përditshme është e lartë, alkooli konsumohen ndoshta më shumë dhe orët e kaluar jashtë janë më të gjata, ndaj edhe nevoja për të bërë kujdes është edhe më e lartë. /abcnews.al/