
Ambasadori italian në Turqi është dashur t’i japë shpjegime Ankarasë zyrtare për një koment të kryeministrit Mario Dragi, që e krahasonte presidentin Erdogan me diktatorët. Komenti u bë në kuadër të incidentit protokollar me presidentin e Komisionit Evropian, fon der Lajen.
Turqia i ka tërhequr vëmendjen Italisë pas deklaratës se kryeministrit të saj se presidenti Rexhep Taip Erdoan, është një diktator.
Ministria e Jashtme turke thirri të enjten ambasadorin italian për t’i bërë të njohur se vlerësimi i kryeqeveritarit Mario Dragi binte ndesh me frymën e aleancës turko-italiane.
Shefi i qeverisë italiane e bëri komentin në lidhje me incidentin e fundit, kur në një vizitë në Ankara me presidentin Erdogan, shefja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen e pati të pamundur të ulej përballë kreut të shtetit.
Dragi e quajti poshtërues veprimin kundrejt saj.
“Këta njerëz ne duhet t’i quajmë ashtu siç janë vërtet, diktatorë, megjithatë edhe na duhet të bashkëpunojmë me ta, të jemi të sinqertë kur ndajmë këndvështrime të ndryshme, opinione, sjellje, vizionin për shoqërinë. Duhet të gjejmë balancën e duhur.”
Presidenca turke tha se komentet e Dragit kaluan limitet dhe se diktatorët i gjen pikërisht në historinë e Italisë, ndërsa kryediplomati, Mevlyt Çavushollu, pretendimet se incidenti me fon der Lajenin ishte i planifikuar qëllimisht nga Ankaraja, i quajti të ulëta dhe të pabaza.
Sipas Ankarasë, vendet se ku u ulën presidentja e Komisionit dhe kolegu i saj evropian, Sharl Mishel, ishin ndarë në koordinim me shërbimin e protokollit brenda BE-së.
ora tv
