Erind Gjeta zgjidhet Kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë Elbasan,

0
3

Erind Gjeta zgjidhet Kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë Elbasan, ka studiuar në Fakultetin Juridik në Universitetin e Bolonjës dhe synon …

Pasditen e të hënës u zhvillua procesi zgjedhor për organet drejtuese të Dhomës Vendore të Avokatisë Elbasan, në zbatim të vendimit të Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, i cili kishte miratuar më herët kalendarin dhe rregullat e zgjedhjeve për dhomat vendore në të gjithë vendin.

Procesi zgjedhor përfshinte votimin për kryetarin e Dhomës Vendore, sekretarin, një anëtar të Komitetit Drejtues, si dhe për përfaqësuesit e Elbasanit në Këshillin e Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë. Në garë për postin e kryetarit morën pjesë katër kandidatë ,Demir Çiftja, Ledian Muzhaqi, Erind Gjeta dhe Aldi Kaci.

Nga 84 anëtarë të regjistruar, në votim morën pjesë 68 avokatë, duke garantuar një proces përfaqësues dhe konkurrues. Në përfundim të numërimit të votave, fitues u shpall juristi Erind Gjeta me 21 vota, i ndjekur nga Ledian Muzhaqi me 19 vota, Demir Çiftja me 16 vota dhe Aldi Kaci me 12 vota.

Ndërkohë, përfaqësues të Dhomës Vendore të Avokatisë Elbasan në Këshillin e Përgjithshëm u zgjodhën avokatët Elis Kovaçi dhe Aldi Kaci, ndërsa në kryesinë e Dhomës Vendore u zgjodhën anëtarë avokatët Shkëlqim Duka dhe Anton Prekaj.

Profili i Kryetarit të ri ,Erind Gjeta

Zgjedhja e Erind Gjetës në krye të Dhomës Vendore të Avokatisë Elbasan vjen si rezultat i një formimi të fortë akademik, përvoje profesionale ndërkombëtare dhe angazhimi të vazhdueshëm në jetën institucionale dhe shoqërore.

I lindur më 2 nëntor 1988, Gjeta ka përfunduar studimet e larta në një nga universitetet më prestigjioze europiane, Universitetin e Bolonjës, Fakulteti Juridik, ku u diplomua në vitin akademik 2012–2013. Gjatë studimeve ai u formua në fusha kyçe të së drejtës si :e drejta publike dhe private, e drejta tregtare, fiskale, penale, administrative, e sigurimeve private dhe e transportit.

Temën e diplomës e mbrojti në lëndën e së Drejtës së Transportit, me titull:
“Disiplina e sektorit të shërbimeve ajrore në kuadrin legjislativ ndërkombëtar dhe komunitar”, një temë që reflekton orientimin e tij drejt standardeve europiane dhe legjislacionit ndërkombëtar.

Arsimin e mesëm e ka kryer në Gjimnazin “Dhaskal Todri” në Elbasan, ndërsa përgatitja e tij profesionale është pasuruar edhe nga eksperienca si përkthyes juridik

Premtimet dhe vizioni i Kryetarit të ri të Dhomës Vendore të Avokatisë Elbasan

Në fjalën e tij pas shpalljes së rezultatit, kryetari i sapozgjedhur Erind Gjeta theksoi se mandati i tij do të udhëhiqet nga transparenca, profesionalizmi dhe forcimi i rolit të avokatit në sistemin e drejtësisë.

Ndër prioritetet dhe angazhimet kryesore të kryetarit të ri renditen:

• Forcimi i unitetit brenda trupës së avokatëve duke lënë mënjanë ndarjet dhe duke ndërtuar një klimë bashkëpunimi, respekti dhe solidariteti profesional.

• Rritja e rolit institucional të Dhomës Vendore të Avokatisë Elbasan, si një zë aktiv dhe i pavarur në raport me institucionet e drejtësisë, pushtetin vendor dhe strukturat qendrore.

• Mbrojtja e interesave profesionale dhe dinjitetit të avokatëve, përmes reagimeve institucionale të qarta ndaj çdo shkeljeje të të drejtave të profesionit dhe standardeve etike.

• Rritja e cilësisë së shërbimit ligjor, përmes trajnimeve të vazhdueshme profesionale, bashkëpunimit me universitete dhe institucione vendase e ndërkombëtare, si dhe nxitjes së specializimeve në fusha të veçanta të së drejtës.

• Digjitalizimi i shërbimeve të Dhomës Vendore, duke synuar lehtësimin e procedurave administrative për avokatët dhe përmirësimin e komunikimit institucional.

• Mbështetje për avokatët e rinj, përmes mentorimit profesional, orientimit praktik dhe krijimit të hapësirave për zhvillim dhe integrim të tyre në tregun e shërbimeve ligjore.

• Rritja e transparencës financiare dhe vendimmarrëse, me informim të rregullt të anëtarësisë mbi aktivitetin, vendimet dhe projektet e Dhomës.

Erind Gjeta u shpreh se synimi i tij është që Dhoma Vendore e Avokatisë Elbasan të kthehet në një institucion aktiv, funksional dhe përfaqësues real të interesave të avokatëve, duke e pozicionuar atë në linjë me standardet më të mira europiane të profesionit ligjor.