Komuniteti mjekësor në Indi është alarmuar, pasi shumë fëmijë në provincën veriore të Uttar Pradesh janë ankuar për temperaturë të lartë, me ethe gjatë javës së kaluar.
Në një kohë kur India duket se po shërohet ngadalë nga një valë e dytë vdekjeprurëse e koronavirusit, vdekjet e një numri të madh fëmijësh në provincën Uttar Pradesh kanë shkaktuar panik tek banorët me “ethet misterioze” të përhapura në zonat e provincës më të populluar të Indisë.
Sipas BBC , 50 njerëz, kryesisht fëmijë, tashmë kanë vdekur nga komplikimet e sëmundjes misterioze, ndërsa qindra janë shtruar në spital në gjashtë zona në pjesën lindore të Uttar Pradesh.
Shumë nga fëmijët përjetuan dhimbje në nyje, dhimbje koke, dehidratim dhe bllokim hundësh. Në disa raste, fëmijët raportuan skuqje që u përhapën në këmbë dhe krahë. Nga analizat e bëra te viktimat rezultoi se nuk ishin të infektuar me Covid-19, sipas BBC.
Shumë nga pacientët u dërguan në spital me numër të ulët të trombociteve, gjë që tregon se mund të jetë një formë serioze e etheve të dengit.
“Pacientët në spitale, veçanërisht fëmijët, vdesin shumë shpejt,” tha Neta Kulrestha, një zyrtare e lartë shëndetësore në rrethin Firozabad, duke shtuar se 40 persona, përfshirë 32 fëmijë, kishin vdekur javën e kaluar.
Ethet e dengit transmetohen nga mushkonjat dhe jaë kryesisht një sëmundje tropikale, që ka qarkulluar në Indi për qindra vjet.
“Kombinimi i ndikimit të epidemive Covid-19 dhe etheve të dengit mund të ketë pasoja katastrofike për popullatat në rrezik,” paralajmëron Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH).
Sidoqoftë, nuk është ende e qartë nëse një epidemi e etheve të dengit është përgjegjëse vetëm për vdekjet e lidhura me ethet e larta në Uttar Pradesh.
Në vitin 2006, shkencëtarët vunë nën mikroskop një ethe tjetër “misterioze” që ishte përgjegjëse për vdekjen e fëmijëve në provincën indiane.
ORA