Një nga sfidat më dramatike dhe rokamboleske në Euro 2020. Ndeshja Kroaci-Spanjë e vlefshme për 1/8 dhuroi emocione të jashtëzakonshme teksa u deshën 120 minuta lojë për të mësuar fituesin që në fund rezultoi Spanja me rezultatin 5-3.
“La Roja” fitoi dhe u kualifikua në çerekfinale në Copenhagen ndërsa paraqitja e tyre konfirmon se janë një skuadër që mund të shkëlqejnë por edhe mund të pësojnë shumë lehtë.Ashtu siç e karakterizon lojën e saj, Spanja e nisi duke dominuar me qarkullimin e topit dhe krijoi disa raste të rrezikshme pa ia dale ndërsa ia ndërlikoi ndeshjen me një gafë të pafalshme të Unai Simon. Portieri i Bilbaos nuk arrin të mbajë një pasim të kthyer nga mbrojtja dhe topi që i rrëshqet shkon në rrjetë.Goli nuk ndryshon ofensivën e Spanjës që kërkon sërish golin dhe e arrin në 38’ me Pablo Sarabian pas një përplasje të topit në zone dhe që rikthehet në këmbët e sulmuesit.
Në fraksionin e dytë të lojës ndodhin shumë gjëra. Fillimisht është Spanja që duke qenë më kërkuese arrin edhe të dale në avantazh me Azpilicuetan në 57’ pas një krosimi nga Torres.
Lehtësohen gjërat për skuadrën e Luis Enriques që luan më e qetë dhe imponohet ndërsa në 77’ mendon se mbyll ndeshjen me golin e Ferran Torres me një goditje shumë të bukur.
Në anën tjetër nuk dorëzohen kroatët që hidhen në sulm dhe në minutën e 85’ rihapin ndeshjen dhe Orsiç që gjuan topin përtej vijës fatale. 3-2 dhe nuk ka përfunduar këtu.
Në minutën e 93’ në mënyrë të pabesueshme, Pasaliç me kokë shënon pas një krosimi të Orsiç duke e çuar ndeshjen në shtesë në 120 minuta lojë.
Spanja duket sikur ka marrë një goditje dhe është Kroacia që e nis mirë shtesën por “La Roja” me eksperiencë zgjidh gjithçka teksa shënon 2 herë me Morata në 100’ dhe Oyarzabal në 104’.
Mbyllet kështu me rezultatin 5-3 një nga ndeshjet më emocionuese dhe dramatike teksa Spanja tashmë në çerekfinale do të presë fituesin e duelit Francë-Zvicër.
Ora tv