9.5 C
Elbasan
Ballina BOTA Europa përballë cunamit të covid-19

Europa përballë cunamit të covid-19

0
224

Shtetet europiane kanë nisur të rikthejnë masat izoluese, maskat dhe kufizimet në shoqëri për të rimarrë kontrollin e situatës me pandeminë.

Pas disa javëve shpërthimi të infeksionit të kovidit-19 në kontinent, rajoni i Uellsit në Britani u vendos të hënën në izolim, ndërsa Sllovenia njoftoi për gjendje epidemie 1-mujore dhe ushtria çeke dërgoi mbi 160 tonë furnizime me ushqime dhe medikamente në spitalin më të madh të kryeqytetit.

“Nuk kemi më kohë për të humbur: Duhet të veprojmë duke aplikuar të gjitha masat e nevojshme për të evituar izolimin e përgjithshëm,” tha në fundjavë kryeministri italian Xhuzepe Konte teksa njoftoi rregulla më të rrepta antikovid.

Mesazhin e tij e kanë përsëritur këto javë shumë udhëheqës, nga Franca në Gjermani, në Zvicër, Austri, në Republikën Çeke dhe në Rusi.

Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi se masat e përkohshme edhe pse të dhimbshme “do çlirojnë sistemin shëndetësor, do mbajnë hapur klasat dhe çerdhet, dhe aktivitetin ekonomik”.

“Jemi shumë afër cunamit dhe nuk po e kontrollojmë dot çfarë po ndodh,” deklaroi ministri i Shëndetësisë i Belgjikës, vend ku qeveria ka mbyllur të gjitha bar-restorantet dhe ka vendosur shtetrrethimin gjatë orëve të natës.

Vendet evropiane dhe disa ish-shtete sovjetike në Azinë Qendrore, kanë shënuar gati 1 milion raste me kovid-19 në javën e fundit.

Numri i vdekjeve nga koronavirusi në kontinent është rritur mbi 250 mijë, por ndryshe nga muaji prill, lakorja e vdekshmërisë është më e ulët se shkalla e infeksionit, pasi pacientët priren të jenë më të rinj dhe spitalet kanë përmirësuar metodat e trajtimit të sëmundjes.

Bizneset atje i kanë kundërshtuar masat e reja ndërsa diku tjetër si në Çeki janë zhvilluar demonstrata kundër tyre që kanë përfunduar deri në dhunë.

Ndërkohë, OBSH-ja ka paralajmëruar se për të rrafshuar lakoren e infeksionit nuk mjaftojnë vetëm kufizimet dhe bashkëpunimi i publikut.

Siç tregojnë disa vende aziatike ku numri i infeksioneve është shumë më i ulët, duhet përqendruar jo vetëm te izolimi i njerëzve që kanë rënë në kontakt me pacientët kovid-19, por edhe në strehimin dhe ushqimin gjatë karantinës.

Përveç kësaj, vendet aziatike kanë vazhduar të rritin testimet për virusin dhe kapacitetet e tyre spitalore edhe kur vërenë se numri i rasteve filloi të bjerë.

OBSH-ja pret që situata me pandeminë mund të zgjasë deri në mesin e vitit 2021 ose kur të jenë aprovuar një a më shumë vaksina për përdorim.

Tags