Sot është dita botërore e popullsisë. Eurostat ka publikuar të dhënat e ndryshimit të popullsisë për vendet e Bashkimit Europian dhe shteteve të tjera të Europës.
Bullgaria dhe Shqipëria rezultojnë dy shtetet që kanë shënuar rënien më të fortë në përqindje të popullsisë, në 1 janar 2020, krahasuar me 1 janar 2019, përkatësisht me -7% dhe -5.8%.
Më pas renditet Serbia (-5.3%) dhe Rumania (-5%).
Të dhëna të mëparshme të Eurostat dhe INSTAT (për Shqipërinë) tregojnë se në Shqipëri arsyeja e rënies së popullsisë lidhet me reduktimin e shtesës natyrore, që gjithsesi ende mbetet pozitive dhe sidomos migracionit të lartë neto negativ (më shumë persona ikin sesa kthehen).
Sipas Eurostat, shtesa natyrore e popullsisë ishte 2.3% në janar 2020 kundrejt 1 janar 2019, ose 6.6 mijë lindje më shumë sesa vdekje, që është më e ulëta të paktën që nga vitet ’90, sipas të dhënave të tjera të INSTAT.
Ndërsa për Serbinë tendenca negative e popullsisë është e lidhur me shtesën natyrore negative (vendi ka më shumë vdekje dhe lindje), ndërsa migracioni neto është pothuajse zero. Sipas Eurostat Serbia kishte një rënie të shtesës natyrore me 5.3% për periudhën në fjalë.
Totali i popullsisë së BE (me 27 anëtarë, pa britaninë) është 447.7 milionë banorë në 1 janar 2020, ose 9.9 milionë banorë më shumë nga 1 janari 2019. Rritja ka ardhur për shkak të migracionit neto pozitiv, ndërsa shtesa natyrore është negative me -1.1%. Shtetet me rënien më të lartë natyrore të popullsisë janë Bullgaria, Greqia, Italia, Kroacia etj.
4.7 milion vdekje janë regjistruar në BE në vitin 2019, 0.9% më pak se një vit më parë. Norma më e ulët e vdekjeve është regjistruar në Irlandë (6.3 për 1 000 banorë). Norma të ulëta janë regjistruar edhe në Qipro (6.8), Luksemburgu (6.9 ‰), Maltë (7.3.), Dhe Suedia (8.6.). Në të kundërt, niveli më i lartë i vdekjeve është regjistruar në Bullgari (15.5.), e ndjekur nga Letonia (14.5.), Lituania (13.7), Rumania (13.4 ‰) dhe Hungaria (13.3.).
Shqipëria, sipas përllogaritjeve, kishte një vdekshmëri prej 7.7 personash për 1,000 banorë, më e ulët se mesatarja e BE-së, prej 10.4 për 1,000 banorë.