“Në ditën e lamtumirës e falenderojmë për modelin që solli si shtetar qytetar e politikan shembullor” tha presidenti aktual Ilir Meta në fjalimin e lamtumirës që përmbyll ceremoninë shtetërore të homazheve, para se Bujar Nishani të përcillet për në banesën e fundit.
Presidenti Nishani do të mbahet mend për qetësinë, forcën e argumentit dhe mbështetjen e madhe që i dha Kosovës për njohjen e saj në arenën kombëtare.
Të shumtë politikanë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, miq, familjarë bashkëpunëtorë të ish presidentit Nishani ishin sot për të bërë homazhe dhe për ti dhënë lamtumirën e fundit Bujar Nishanit.
Ceremonia shtetërore nisi në orën 10:00 dhe vijoi deri në orën 12:00 kur dhe do të përcillet për në banesën e fundit
Ish-Kreu i shtetit ndërroi jetë të shtunën, 28 maj 2022, në një spital në Gjermani, ku ishte i shtruar prej një muaji, pas komplikacioneve shëndetësore që i la Covid-19.
Ceremonia shtetërore për t’i dhënë lamtumirën e fundit Presidentit të 6 në historinë e pluralizmit shqiptar mbahet në institucionin që ushtroi detyrën për 5 vite me radhë përgjatë 2012-2017.
Ndërkohë dje familjarët kanë pritur miq dhe të afërm për të nderuar figurën e tij.
Ilir Meta, presidenti i vendit e vlerësoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, ish-Presidentin Bujar Nishani pas vdekjes.
Në motivacion thuhet se kjo dekoratë jepet në vlerësim të kontributeve të shquara në të gjitha detyrat e larta shtetërore, për forcimin e demokracisë dhe institucioneve, për integrimin euro-atlantik dhe evropian të vendit, për mbrojtjen dhe promovimin e interesave kombëtare.