Falimentonin fasoneritë për të shmangur tatimet/ Elbasan, arrestohen 5 persona, një në arrest shtëpie

0
2

Prokuroria e Elbasanit kërkoi masën e sigurisë ‘Arrest në burg’ për pesë persona, tre prej të cilëve shtetas italianë dhe ‘Arrest shtëpie’ për një shtetase tjetër të dyshuar për veprat penale “Mospagim të Taksave dhe Tatimeve”, “Falimentim i provokuar”, ‘Mashtrimi’, “Shpërdorim i kompetencave” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Në kuadër të hetimeve, u zbulua ekzistenca e një skemë mashtrimi të mirorganizuar ku asete, punonjës dhe aktivitet ekonomik janë transferuar nga një subjekt në tjetrin, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe fiktivizimin e operacioneve financiare.

Totali i detyrimeve tatimore të papaguara për subjektet rezulton në mbi 14 milionë lekë, ndërsa nga analizimi i llogarive bankare, janë konstatuar tërheqje mbi 2.1 milion euro, të pajustifikuara dhe pa dokumentacion tatimor mbështetës

Gjithashtu në kuadër të këtij procedimi penal, me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan nr.351, datë 02.06.2025 janë vendosur nën sekuestro konservative shtatë subjekte tregtare, disa llogari bankare dhe dhjetë automjete.

Shtetasit ndaj të cilëve janë caktuar masat e sigurimit, në bashkëpunim me njëri – tjetrin dhe persona të tjerë, ishin përfshirë në një skemë mashtrimi duke simuluar falimentin e subjekteve dhe krijimin e tyre në mënyrë fiktive me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore, duke sjellë një dëm të konsiderueshëm financiar.

Subjektet lidhen direkt dhe indirekt me njëri-tjetrin, duke qënë se aktiviteti i tyre në fushën e fasonerisë, aksioneret dhe administratorët e shoqërive, si dhe punonjësit janë të njëjtë në të gjitha shoqëritë. Asetet kanë kaluar nga një shoqëri te tjetra dhe me anë të veprimeve aktive, shtetasit dhe subjektet nën hetim kanë sjellë një dëm ekonomik të konsiderueshëm.

Në kuadër të këtij procedimi penal janë duke u kryer hetime metoda speciale të hetimit, pasi ka dyshime së në këtë skemë mashtrimi janë përfshirë zyrtarë të lartë shtetërorë, të organeve tatimore, doganore dhe bashkive ku këto subjekte ushtronin aktivitetin e tyre, e konkretisht në qytetet Elbasan, Durrës dhe Tiranë.