Kryeministrja finlandeze, Sanna Marin, po përballet me një furi reagimesh të ashpra pasi në internet u shpërndanë me shpejtësi pamjet nga brenda një feste private me miqtë e saj, duke kërcyer dhe kënduar e shqiptuar fjalën “kokainë”.
Disa politikanë nga partitë opozitare i kanë kërkuar kryeministres të bëjë një test droge dhe rezultatet t’i bëjë publike. Kryeministrja Marin, 36 vjeçare mohoi të kishte marrë drogë, duke thënë se ajo pinte vetëm alkool dhe thjesht po festonte.
Vetëm javën e kaluar, Marin u quajt “kryeministrja më e lezetshme në botë” nga gazeta gjermane Bild. Kryeministrja më e re në botë nuk heziton të marrë pjesë në festa të ndryshme dhe shpesh është fotografuar në festivale muzikore.
Duke komentuar videon e publikuar të enjten, ajo tha se e dinte se po filmohej, por ishte e mërzitur që videoja ishte bërë publike.“Kam kërcyer, kënduar dhe festuar – gjëra krejtësisht të ligjshme. Dhe nuk kam qenë kurrë në një situatë ku kam parë ose njohur të tjerë [duke përdorur drogë],” shtoi ajo.
“Unë kam një jetë familjare, kam një punë dhe kam kohë të lirë për të kaluar me miqtë e mi. Pothuajse njësoj si shumë njerëz të moshës sime.”
Kryeministrja tha se nuk ndjente nevojën të ndryshonte sjelljen e saj. “Do të jem saktësisht i njëjti person siç kam qenë deri më tani dhe shpresoj se do të pranohet”.
Marin është në pushtet që nga dhjetori 2019 dhe ruan mbështetjen e partisë së saj. Vitin e kaluar ajo u detyrua të kërkojë falje që shkoi në një klub pasi kishte pasur kontakt të ngushtë me një person të infektuar me Covid-19.
Sanna Marin shkoi në një klub nate në Helsinki, disa orë pasi ministri i Jashtëm kishte rezultuar pozitiv. Asokohe Revista Seiska shkruajti duke iu referuar dëshmitarëve që e panë kryeministren duke kërcyer në klubin Butchers, se qëndroi deri në orën 04:00.