Festa në Universitet kthehet në tragjedi, një i vdekur dhe disa të plagosur me armë

0
20

Një person humbi jetën dhe disa të tjerë u plagosën pas të shtënave masive që ndodhën natën e së shtunës në Universitetin Tuskegee, gjatë festimeve të rikthimit të alumnëve të shkollës.

Të shtënat shpërthyen në kampusin e Universitetit Tuskegee, kur rrugët ishin plot me studentë, ish-studentë dhe anëtarë të komunitetit që festonin 100-vjetorin e rikthimit të alumnëve të shkollës. Videot që qarkulluan në rrjetet sociale tregojnë të shtënat e shpejta, ndërsa të frikësuarit hidhen dhe fshihen pas makinave.

Viktima u identifikua si një “individ jashtë universitetit”, tha institucioni për The Post. Disa persona, përfshirë studentë të Universitetit Tuskegee, u plagosën dhe u transportuan në spitale të afërta.

Koroneri i Qarkut Macon, Hal Bentley, tha se “shumë njerëz” ishin plagosur, por ai nuk mundi të japë detaje të mëtejshme. Ndër të plagosurit ishte një studente e cila mori një plagë në bark dhe një student tjetër që u plagos në krah, tha shefi i Policisë së Tuskegee, Patrick Mardis.

 

“Një grup idiotësh filluan të shtënat,” tha Mardis. “Nuk mund të sillnim makinat e emergjencës, kishte aq shumë njerëz.”

Universiteti Tuskegee ndodhet rreth 63 kilometra në lindje të Montgomery, Alabama.

Rreth 47,300 persona ishin mbledhur në Stadiumin e Alumni-ve, që ka një kapacitet prej 10,000 vendesh, për ndeshjen e futbollit të universitetit kundër Kolegjit Miles, vetëm disa orë para se të shpërthenin të shtënat.

 

Top Channel