Festat dyfishojnë tragetet! Emigrantët po kthehen nga Italia për të festuar me familjen

0
2

Afrimi i festave të fundvitit ka shtuar fluksin e udhëtarëve në Portin e Durrësit.

Për të përballuar këtë rritje, tragetet e linjave Durrës-Bari dhe Durrës-Ankona e kthim kanë nisur lundrime të dyfishta.

Fluksi është nga Italia në drejtim të portit të Durrësit. Në ditët në vijim presim që të shkojmë maksimumi 2000 pasagjerë për çdo traget, pra 4000 nga Bari dhe 1800 nga Ankona“-shprehet Taulant Allka, kapiten i portit të Durrësit.

Shumica e pasagjerëve janë shqiptarë të diasporës që kthehen për të festuar në atdhe me familjet e tyre, por ka edhe turistë të huaj, kryesisht italianë që zgjedhin Shqipërinë si destinacion për festat e tyre familjare dhe pushimet e fundvitit.

 “Vijmë për festat e fundvitit t’i kalojmë në Shqipëri. Kemi familjarë, njerëzit tanë të gjithë këtej. I uroj të gjithë shqiptarëve Gëzuar festat!”

“Jemi ftuar për 40-vjetorin e kushëririt tim që zgjodhi Shqipërinë për të festuar. Jemi 84 persona.”

“Jemi shumë. Kemi ardhur me dy autobusa për të festuar.”

Autoritetet portuale kanë marrë masa për përpunimin e shpejtë të udhëtarëve dhe automjeteve, duke shtuar numrin e sporteleve në Terminalin e Trageteve.

“Janë marrë masat për të vënë të gjitha kapacitetet në funksionim. Presim që çdo gjë të shkojë mbarë.”

Gjatë periudhës janar-nëntor përmes Portit të Durrësit kanë udhëtuar mbi 716 mijë pasagjerë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ka pasur një rënie të lehtë për shkak të konkurrencës nga linjat ajrore me kosto të ulët.