Përgjatë ditëve të fundit është rritur numri i shtetasve shqiptarë të cilët kanë hyrë nga Greqia në drejtimi të vendit tonë nëpërmjet pikës kufitare të Kapshticës.
Burime zyrtare pranë drejtorisë vendore të kufirit dhe migracionit bëjnë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë nga vendi fqinj 508 shtetas dhe 160 automjete.
Kjo është shifra më e lartë që nga momenti kur është komunikuar hapja e kufirit nga pala greke. Ndërkohë që bëhet e ditur po nga këto burime se ditët në vijim pritet shtimi i numrit të personave që kalojnë kufirin, dhe për këtë shkak po merren masa për shtimin e numrit të sporteleve.
Në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, pas masave të vendosura nga shteti helen, lejohet hyrja e mjeteve të tonazhit të rëndë, këmbësorëve, dhe automjetet me përdorim personal.
Vetëm pak ditë më parë autoritetet greke kanë bërë me dije se kufiri nga Shqipëria në drejtim të Greqisë do vijojë të jetë i mbyllur deri në datën 7 janar.
(E.G/Faxweb.al)