Festivali Folklorik i Gjirokastrës/ Margariti: Sofra më e madhe e trashëgimisë shpirtërore në pranverën e 2021

0
344

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës, sofra më e madhe e trashëgimisë shpirtërore shqiptare, do të zhvillohet në pranverën e 2021.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila në një video të publikuar shprehet se “ne nuk do ta humbasim traditën dhe festivalin do ja sjellim publikut me gjithë madhështinë e tij. Festivali Folklorik do të zhvillohet në pranverën e 2021”.

“Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës është një ngjarje e madhe dhe e shumëpritur. Tërmeti i 26 nëntorit dhe më pas pandemia Covid-19 ngriti pikëpyetje të mëdha mbi zhvillimin e këtij aktiviteti”, – tha Margariti.

Ministrja Margariti theksoi se “Gjirokastra nuk mund të kuptohet pa Kalanë, Qafën e Pazarit, rrugicat me kalldrëm dhe shtëpitë muze. Por prej dekadash, nuk mund të kutpohet as pa Festivalin Folklorik. Kjo sofër bujare ka pritur dhe ka pëcjellë mijëra bartës të kulturës tonë popullore, të traditave më të mira, ato të trashëguara brez pas brezi nga të  gjitha trevat shqiptare”.

“Me të drejtë ky festival është një ngjarje madhe, e shumëpritur, të cilën ne duhet ta sjellim përpara dhe so tia sjellim publikut me të gjithë madhështinë e tij”, – tha Margariti.

Edicioni i parë i këtij festivali është çelur në  11 tetor të vitit 1968 në qytetin muze të Gjirokastrës duke u konsideruar si një festival unikal në ruajtjen, mbrojtjen dhe popullarizimin e trashëgimisë kulturore shpirtërore në Shqipëri.

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës u zhvillua së pari në vitin 1968 dhe konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme në kulturën shqiptare. Ai zhvillohet çdo pesë vjet në Kalanë e qytetit të Gjirokastrës, Qendrën Historike dhe ambientet e tjera të këtij qyteti. Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës është veprimtaria më e rëndësishme në fushën e trashëgimisë kulturore jomateriale shqiptare. Festivali shfaq muzikë tradicionale shqiptare, veshje dhe valle nga Shqipëria, diaspora dhe tokat e banuara shqiptare në të gjithë Ballkanin dhe Italinë Jugore.

Ky festival ka për qëllim ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e vlerave më të mira të trashëgimisë sonë kulturore jomateriale, të vlerave etnomuzikore, etnokoreografike, etnografike (të kostumeve popullore, veglave muzikore, ritet dhe zejet, etj.) të krijuara prej shekujsh nga populli shqiptar të ndërthurura me vlerat e trashëgimisë kulturore materiale që ndodhen në qytetin dhe qarkun e Gjirokastrës.

FFK evidenton vlerat e qytetit të Gjirokastrës, “Pasuri kulturore e njerëzimit” mbrojtur nga UNESCO, në kuadër të nxitjes së turizmit kulturor dhe synon gjallërimin e jetës kulturore të vendit në përgjithësi dhe të qytetit të Gjirokastrës dhe zonave rreth tij në veçanti.

FFK i Gjirokastrës përcjell në publikun e gjerë kulturën popullore që ruhet dhe zhvillohet në hapësirat mbarëkombëtare shqiptare.