Festivali Kombëtar i Kulinarisë, Meta: Manifestim i vlerave më të mira të mikpritjes

0
159

Në mjediset e presidencës u zhvillua sot Festivali Kombëtar i Kulinarisë, Bujtinave dhe Prodhuesve Vendorë ku merrnin pjesë dhjetëra sipërmarrës shqiptarë, prodhues të vegjël dhe të mëdhenj, fermerë, blegtorë, bujtinas, mjeshtra të kuzhinës shqiptare, grumbullues dhe përpunues të prodhimeve bujqësore e blegtorale, autoritete qendrore dhe vendore, diplomatë të huaj, si dhe përfaqësues të turizmit nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Gjatë përshëndetjes Presidenti Ilir Meta u shpreh se “sot e keni stolisur këtë institucion,  si kurrë ndonjë herë,  në radhë të parë me prezencën tuaj, të njerëzve të punës dhe dashurisë për natyrën, etnografinë, gjeografinë, traditën, kulturën dhe kulinarin tonë.Të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik që na nderoni, përfaqësues të shoqatave dhe mediave. Mirë se keni ardhur në këtë Festival të veçantë!Prania juaj sot në këtë manifestim të vlerave më të mira të mikpritjes, etnografisë dhe gastronomisë shqiptare e bën edhe më të larmishëm këtë ngjarje”.

Meta u shpreh se “kjo ditë e bukur më jep gjithë kënaqësinë, për të ndarë me ju, optimizmin dhe synimin për një sezoni turistik sa më  të suksesshëm, optimist dhe shpresëdhënës, pas këtyre sfidave me të cilat jemi ndeshur”.

“Ju, miqtë e mi që, me turizmin bashkëjetoni, na keni bërë krenarë. Ju keni vendosur ‘pasaportën’ tuaj të mikpritjes shqiptare, për të gjithë vizitorët nga rajoni, Europa dhe bota, për të gjithë turistët që e kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacion dhe e kanë vendosur në ‘top listën’ e guidave të tyre.Është pikërisht puna juaj së bashku me atë të fermerëve, blegtorëve, prodhuesve të frutave, perimeve, kultivuesve dhe përpunuesve të bimëve mjekësore, peshkatarëve, bletërritësve, vreshtarëve dhe prodhuesve të verës, të vajit të ullirit, barinjve dhe përpunuesve të qumështit, baxhoxhinjve dhe shumë njerëzve të thjeshtë, të cilët me ekonomitë e vogla familjare, mbajnë këtë industri që duhet të rritet dhe konsolidohet dita ditës, duke marrë një peshë gjithnjë edhe më të madhe në rritjen e te ardhurave  jo vetëm në ekonominë e vendit, por edhe për vetë familjet e thjeshta shqiptare.Falë kësaj pune e këtij mundi, është ndërtuar ky zinxhir bashkëpunues, i shumë sipërmarrjeve të vogla e familjare që, përbëjnë strukturën bazë të shoqatës tuaj, e cila është çelësi i suksesit të turizmit të bujtinave, fermave, staneve, kantinave dhe kulinarisë tonë”, tha ai.

Po ashtu Meta shtoi se ky Festival dëshmon se restorantet, bujtinat, prodhuesit vendorë të turizmit në Shqipëri, janë bashkuar dhe mbështetur të gjithë, rreth një filozofie, një misioni: Për një turizëm cilësor, gjithëvjetor, konkurrues dhe me standarde europiane, për të mirën e Shqipërisë  dhe ekonomisë së shqiptarëve.