FIFA përgatit revolucionin në futboll

0
221

Futbolli pritet të përballet me një revolucion në mënyrën e organizimit të kalendarit të kampionateve dhe nismëtarja e ndryshimit të madh është vetë qeveria botërore e këtij sporti, FIFA.

Ka qenë vetë presidenti Gianni Infantino që në një intervistë ka deklaruar se synimi i FIFA-s është që brenda vitit 2022 të përfshihet faza Play Off në shumicën e ligave europiane, për t’i bërë edhe më interesante ato.

“Ne duam që brenda dy viteve të ardhshme, shumica e ligave europiane të përfshijnë fazën Play Off. Kështu do të ketë më pak ndeshje dhe më shumë interes. Ideja është që kampionatet të luhen me vetëm një fazë, pa sistemin vajtje-ardhje dhe më pas të kalohet direkt te Play Off-i me eliminim direkt, pak a shumë si në Ligën e Kampionëve këtë verë. Kështu do të rritej ndjeshëm interesi i tifozëve, sponsorëve, mediave, etj., duke gjeneruar më shumë të ardhura”, deklaroi Infantino.

Në planin e tij, presidenti i FIFA-s ka propozuar revolucion total edhe për kalendarin sportiv, duke e ndarë në periudha të caktuara për çdo kompeticion, në mënyrë që të shmangen edhe ngjeshjet e aktiviteteve e ndeshjet e shpeshta.

“Në idenë tonë për revolucionarizimin e këtij sporti, kemi programuar edhe ndryshime rrënjësore në kalendar, për t’u dhënë hapësirë të dedikuar të gjithë aktiviteteve. Kështu gjatë një viti do të ketë 5 muaj afat për ndeshjet e kampionatit, 1 muaj për pushimet e futbollistëve, 1 muaj e gjysmë për Play Off-in, 1 muaj e gjysmë për ligat europiane, 1 muaj e gjysmë për Europianët ose Botërorët dhe 1 muaj e gjysmë për Kombëtaret”, tha kreu i FIFA-s.expres