Fije shprese në Ukrainë, Lavrov me homologun polak: Do diskutojmë për raketat bërthamore

0
159

Vetëm pak orë pas deklaratës së presidentit ukrainas se e mërkuara mund të jetë ditë sulmi rus mbi vendin e tij, rusët kanë çuditur krejt botën duke tërhequr një pjesë të trupave të tyre nga kufiri me Ukrainën.

Lajmin e ka njoftuar vetë ministria e Mbrojtjes ruse ndërsa theksoi se disa prej njësive po kthehen në bazë pas stërvitjes.

“Ne kemi thënë gjithmonë se pas përfundimit të stërvitjeve… trupat do të kthehen në bazat e tyre të përhershme.Nuk ka asgjë të re këtu. Ky është një proces i zakonshëm,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov. Ndërkohë, ministria e Jashtme ruse ka folur për propagandë perëndimore për pushtimin e Ukrainës.

Kryediplomati Lavrov foli me termin “terrorizëm informative”, ndërsa zëdhënësja e tij Zakarova shkroi se “15 shkurti 2022 do të hyjë në histori si dita kur dështoi propaganda perëndimore se do të ketë luftë. Ata u poshtëruan dhe shkatërruan pa u dëgjuar asnjë e shtënë”, shkroi Maria Zakharova, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë.

Putini edhe më herët ka thënë se është në diskrecionin e Rusisë se ku dhe si i lëviz trupat në territorin e saj, por Ukraina dhe Perëndimi i frikësohet një skenari lufte, ku Rusia hyn në Ukrainë, si në Krime në 2015-ën. Ndërkohë, Ministri i Jashtëm rus Lavrov tha këtë të martë se do të vazhdojë dialogun me Perëndimin për çështjet e sigurisë dhe është e gatshme për bisedime të veçanta për raketat bërthamore me rreze të mesme veprimi. Kjo deklaratë erdhi pas bisedimeve me ministrin e Jashtëm polak Zbigniew Rau në Moskë.

Edhe Bashkimi Evropian ka reaguar këtë të martë duke thënë se është i gatshëm të diskutojë shqetësimet e sigurisë së Rusisë. Deklaratën e bëri kryediplomati i BE-së Josep Borrell.

“Për të përmbushur shqetësimet e të gjithëve, mënyra e vetme është të flasim në tryezë dhe të diskutojmë,” tha Borrell për rrjetin BBC. “Nëse do të ketë një luftë midis Rusisë dhe Ukrainës, Nordstream 2 nuk do të bëhej funksional”, shtoi ai.

Kjo lëvizje e Kremlinit ka habitur shumë analistë, ndërsa media amerikane “Financial Times” shkruante pak ditë më parë për tensionet e shtuara se kemi dy liderë rusë brenda shefit të Kremlinit –

Putinin racional që e di çfarë bën dhe Vladin e çmendur nacionalist që kërkon rivendikime territoriale.

Megjithatë, shumë analistë mbeten të shqetësuar për Ukrainën lindore, pasi rusët mund të ndërmarrin një inkursion në atë pjesë.

Këtë të martë ka mbërritur në Moskë edhe kancelari gjerman për të biseduar mbi krizën në kufirin ukrainas dhe për të gjetur rrugën e diplomacisë. Më herët ai ishte në Kiev ku bisedoi me homologun Zelenski.

Ndërkohë, amerikanët kanë zhvendosur ambasadën e tyre nga Kievi në Lviv, qytet kufitar me Poloninë duke argumentuar sigurinë e stafit për çdo eventualitet.