Finalja e trazuar e Kupës së Afrikës: Senegali rrezikon përjshtimin nga Botërori

0
16

Finalja e Kupës së Afrikës për Kombe vazhdon të shkaktojë polemika edhe pas përfundimit të saj.

Senegali vendosi të braktiste fushën për disa minuta, në shenjë proteste, pasi arbitri akordoi një penallti në favor të Marokut. Pas ndërhyrjeve dhe tensionit të krijuar, ekipi senegalez u rikthye në lojë, portieri arriti të ndalë penalltinë, ndërsa më pas Senegali arriti të triumfojë dhe të fitojë trofeun kontinental.

Megjithatë, episodi i braktisjes së përkohshme të ndeshjes ka hapur një çështje të ndjeshme disiplinore, me FIFA-n që pritet të marrë vendime në ditët në vijim.

Maroku pretendon se veprimi ekstrem i Senegalit ndikoi drejtpërdrejt në rrjedhën dhe fatin e finales, duke kërkuar ndëshkime shembullore.

Sipas asaj që raporton “Mundo Deportivo”, një nga skenarët e përmendur është edhe më drastiku: përjashtimi i Senegalit nga Botërori i këtij viti.

Një vendim i tillë do të ishte shkatërrues për kampionët e Afrikës, megjithëse në kampin senegalez mbizotëron bindja se ky skenar është i pamundur dhe se FIFA nuk do të shkojë deri aty.

Gjithsesi, edhe nëse përjashtimi nga Botërori përjashtohet si mundësi, disa ndëshkime individuale duken të pashmangshme. Trajneri Pape Thiau dhe disa lojtarë që konsiderohen iniciatorë të protestës rrezikojnë pezullime për disa ndeshje në kompeticionin më të rëndësishëm ndërkombëtar.

Federata Senegalese e Futbollit pritet gjithashtu të ndëshkohet me gjobë ose masa të tjera disiplinore.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, në Senegal momentalisht mbizotëron entuziazmi për fitimin e trofeut, ndërsa vendimet përfundimtare të FIFA-s mbeten ende për t’u mësuar.

© SYRI.net