“Finalja” para finales/ Paris SG-Real në gjysmëfinalen e Botërorit të Klubeve

0
2

Do të përcaktohet finalisti, ndonëse dueli i sotëm është si një finale. Paris SG-Real Madrid është sfida e dytë e madhe në Kupën e Botës për Klubet, pas asaj mes Fluminenses dhe Çelsit, e padyshim që është një klasike e madhe europiane.

Dy nga ekipet më të mirë të botës do të jenë përballë në orën 21:00 në stadiumin “Metlajf” në Nju Xhersi, dhe fjala është për kampionen e Europës në fuqi, Paris SG, dhe për rekordmenin e titujve në Champions me 15 të tillë, pra Realin.

Pragu I ndeshjes u bë dramatik për shkak të reshjeve të dendura të shiut që bënë që madrilenët të vonoheshin ndjeshëm për të arritur në hotel.

 

Kjo detyroi klubin madrilen që të anulonte konferencat për shtyp, diçka tepër e pazakonshme për emra të tillë dhe në nivele kaq të larta.

Pritet që Kilian Mbape të jetë gati dhe të luajë që nga minuta e parë për Realin, pra në përballjen e parë me ish-skuadrën e tij, PSG.

Sulmuesi francez ka munguar në ndeshjet e grupit, dhe ishte vetëm zëvendësues në çerekfinale, ndërsa konkurrenti që ka shkëlqyer është sulmuesi I ri, Gonzalo Garsia.

Trajneri Shabi Alonso ka probleme në mbrojtje dhe shqetësimi I fundit ishte kartoni I kuq I Din Hujsenit ndaj Dortmundit, dhe vetëm Rydiger mbetet I saktë në qendër të repartit difensiv.

Paris SG gjithashtu ka problemet e veta.

Paço dhe Lykas Ernandez morën karton të kuq në sfidën e kaluar në Botërorin e klubeve ndaj Bajernit, duke I hapur shumë telashe trajnerit Luis Enrike.

Tekniku spanjoll duhet të zgjedhë në sulm mes Usman Dembelesë dhe Barkolasë, ndërsa taktikisht ai ka qenë I shkëlqyer, me mbrojtjen më të fortë në turne.

Ai foli me besim përpara ndeshjes, ndonëse u kujtoi të gjithëve se çfarë përfaqëson Reali.

Sipas parashikimeve të kompanive të basteve, kampionët e Europës janë pak më shumë favoritë për të fituar dhe për të shkuar në finale.