Performanca bujqësisë shqiptare dhe ecuria e implementimit të Programit IPARD II, në sektorin rural, ishin në fokus të takimit që zhvilloi në Tiranë, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca me drejtorin në Drejtorinë e Përgjithshme të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Komisionin Evropian, Frank Bollen.
Lidhur me këtë takim të rëndësishëm në aspektin e mbështetjes europiane për ekonominë rurale shqiptare, ministrja Krifca tha se, “ndër të tjera me drejtorin Bollen, diskutuam mbi ndikimin që ka dhënë programi IPARD në bujqësi dhe zbatueshmërinë e IPARD II, në vigjilje të takimit të Komitetit Monitorues të këtij programi”.
Shqipëria, theksoi Krifca, ka marrë miratimin në Bruksel për programin IPARD III.
“Me ekipin e ekspertëve, vijojmë punën për akreditimin e pesë masave të reja, duke shtuar mundësitë e financimit në zonat rurale”, tha ministrja Krifca.
Programi IPARD ka mbështetur rreth 437 investime të reja në sektorin e bujqësisë dhe agropërpunimit me vlerë granti 80 milionë euro.
Përmes programit IPARD II janë injektuar 170 milionë euro investime në ekonomi. Ndërsa 245 projekte janë financuar dhe paguar. /j.p/