Firmoset marrëveshja, punësim dhe formim profesional për riintegrimin e të dënuarve

0
33

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nënshkroi sot një marrëveshje bashkëpunimi me bashkinë e Durrësit, që synon riintegrimin e të dënuarve në komunitet.

Lajmin e ka bërë të ditur nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, i cili e ka nënshkruar marrëveshjen me kryetaren e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sakon.

“Përmes këtij partneriteti synojmë t’i krijojmë mundësi të dënuarve për t’u riintegruar me sukses në shoqëri, duke i ofruar mbështetje konkrete në fusha si punësimi dhe formimi profesional”- shkruan Qose.

Qose nënvizon më tej se ky është një angazhim i përbashkët për një të ardhme më të sigurt, ku çdo individ ka mundësinë të rikthehet dhe të japë kontributin e tij në komunitet.

“Falënderoj Bashkia Durrës për mbështetjen dhe përkushtimin në këtë nismë të rëndësishme”- shkruan Qose.